
TIRANË-Pretenca për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro është shtyrë, pasi ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallë. Për shkak se Jorgo Goro nuk ka shprehur qartë nëse mungesa i referohet ditës së sotme apo jo, vullneti i tij konsiderohet i paqartë. Gjykata caktoi seancën e radhës më 4 korrik, në orën 11:00.
Kujtojmë se në seancën e fundit të mbajtur më 23 qershor, sipas raportomit në media, pas shpalljes fajtor dhe dënimit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Goro u shtrua në ambientet e spitalit të burgut. Nuk dihet ende nëse mungesa e tij në seancën e sotme është si pasojë e gjendjes së tij shëndetësore.
Më 13 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 2 vite e 20 muaj heqje lirie, Jorgo Goron. Ish-kryebashkiaku i Himarës është gjetur fajtor për veprat penale "shpërdorim detyre" dhe "tjetërsim të provave". Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.
SPAK, në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Mësohet se rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut do të kalojnë në favor të shtetit./ZËRI