
ELBASAN-Prej pasdites së djeshme (1 korrik) zjarri në landfillin e Elbasanit vijon të jetë aktiv edhe ditën e sotme. Pas më shumë se 10 orësh përpjekjesh, vatra vijon ende të jetë aktive në thellësinë e masës së mbetjeve, ndërsa shtëllunga të dendura tymi kanë pushtuar vendin, duke ndotur ajrin dhe duke vënë në rrezik banesat përreth.
View this post on Instagram
Temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit. Teksa ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ka pretendime se zjarri mund të jetë shkaktuar nga copa xhamash që kanë reflektuar për shkak të temperaturave të larta, por nuk përjashtohet edhe zjarrvënia e qëllimshme.
Për të vendosur flakët nën kontroll u angazhuan 15 mjete zjarrfikëse dhe mbi 100 efektivë nga të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan, si dhe forca ndihmëse nga Kamza, Tirana dhe Berati. Në shuarrjen e zjarrit u angazhuan edhe helikopterët e ushtrisë. Por ndërhyrja në landfill mbetet një nga sfidat më të mëdha, për shkak të përmasave të mbetjeve dhe lëndëve të djegshme.
Lidhur me landfillin, në mars të këtij viti, disa persona u morën në pyetje për inceneratorin e Elbasanit. Nga Prokuroria e Elbasanit u shoqëruan për t'u marrë në pyetje 4 zyrtarë të kompanisë "Eco Elb". Po ashtu, nga zyrat e kompanisë janë sekuestruar edhe dokumente, por ende nuk ka të dhënë konkrete. Kompania "Eco Elb" u themelua në vitin 2021, pas sekuestrimit të inceneratorit të Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por në ambientet e landgfillit ka pasur disa zjarrë, një në 2023 dhe një tjetër në nëntor të vitit 2024. Ndaj për këto incidente, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Ndotja e ajrit”./ZËRI