
ELBASAN- Pasditen e sotme ka marrë flakë landfilli i mbetjeve në Elbasan. Zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve. Ndërkohë që tymi ka nisur që të shpërndahet dhe ka mbuluar të gjithë zonën përreth inceneratorit. Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar në përhapjen e tymit. Për të ndihmuar për shuarjen e flakëve, në Elbasan kanë shkuar edhe ekipe nga Tirana, Kamza dhe Berati. Ndërkohë që ende nuk dihen shkaqet e zjarrit. Ka pretendime se zjarri mund të jetë shkaktuar nga copa xhamash që kanë reflektuar për shkak të temperaturave të larta, por po ashtu nuk përjashtohet edhe zjarrvënia e qëllimshme. Ndaj mbetet që hetimet të zbardhin shkakun e vërtetë të flakëve.
View this post on Instagram
Nga ana e saj, Bashkia e qytetit të Elbasanit ka reagur në lidhje me situatën e paraqitur në qytet nga zjarret. Sipas Bashkisë, në pak minuta u vu nën kontroll zjarri në verilindje pranë fshatit Mengël, ndërsa helikopterët e ushtrisë vazhdojnë të punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit në ullishten pranë fshatit Balëz.
NJOFTIMI I BASHKISË:
Prej disa orësh po përballemi me një situatë të rënduar nga zjarret. Në pak orë disa vatra zjarri kanë përfshirë ullishten në pjesën veriperëndimore, pyllin me pisha në verilindje, një vatër pranë fshatit Samurr dhe së fundmi po përballemi me një situatë të rëndë zjarri në landfill. Të gjithë ekipet e zjarrfikëseve të Elbasanit së bashku me mjetet, zjarrëfikëset nga i gjithë qarku, emergjencat civile dhe vullnetarë po luftojnë me flakët. Në pak minuta u vu nën kontroll zjarri në verilindje pranë fshatit Mengël, ndërsa helikopterët e ushtrisë vazhdojnë të punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit në ullishten pranë fshatit Balëz. Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve tona. Tashmë e gjithë forca është përqëndruar për vënien nën kontroll të zjarrit në landfill, ku përveç qarkut po na vijnë në ndihmë edhe ekipet e Tiranës, Kamzës e Beratit. Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve për kujdes. Në temperatura të tilla ekstreme çdo pakujdesi na kushton shumë. Një pakujdesi e vogël mund të bëhet shkak për zjarr me pasoja të mëdha. Bashkia Elbasan gjen rastin gjithashtu tu bëj thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masa në rastet kur kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme.
Lidhur me landfillin, në mars të këtij viti, disa persona u morën në pyetje për inceneratorin e Elbasanit. Nga Prokuroria e Elbasanit u shoqëruan për t'u marrë në pyetje 4 zyrtarë të kompanisë "Eco Elb". Po ashtu, nga zyrat e kompanisë janë sekuestruar edhe dokumente, por ende nuk ka të dhënë konkrete. Kompania "Eco Elb" u themelua në vitin 2021, pas sekuestrimit të inceneratorit të Elbasanit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Por në ambientet e landgfillit ka pasur disa zjarrë, një në 2023 dhe një tjetër në nëntor të vitit 2024. Ndaj për këto incidente, Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për 3 vepra penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Ndotja e ajrit”.
*"Eco Elb" është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve të ndryshme, organike, të ngurta, të gjelbërta,..etj, në territorin administrativ të të gjithë bashkive të Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me djegie (incenerator). Kompania trashëgoi inceneratorin e Elbasanit të ndërtuar nga "Albtech Energy". Aksionerë të "Eco Elb", aktualisht janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind. Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind.
Sa i përket SPAK, hetimet janë mbyllur dhe të akuzuarit janë dënuar edhe nga Apeli i GJKKO-së. Koka u shpall fajtor dhe u dënua me 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi konvertohet në 6 vite e 8 muaj burg. Në Shkallën e Parë, u dënua me 8.6 vite burg, por me gjykim te shkurtuar Koka përfundimisht do të kryente 5 vite e 6 muaj burg. Ndërsa Bllako u shpall fajtor për shpërdorim detyre duke e dënuar me 4 vite burg, akuzë për të cilën GJJKO e shpalli të pafajshëm. Për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i konvertohet në 2 vite e 8 muaj burgim. Biznesmeni Klodian Zoto, u deklarua fajtor dhe u dënua me 10 vite burg, por me gjykim i shkurtuar përfitoi zbritjen në 6.8 vjet heqje lirie. Të njëjtën masë dënimi gjykata dha edhe ndaj biznesmenit tjetër Mirel Mertiti. Ndërkohë Stela Gugallja, administratore në inceneratorin e Elbasanit, u dënua me 7 vjet heqje lirie, por me gjykim të shkurtuar përfitoi zbritjen në 4.8 vjet.
Me 4 vjet burg u dënua Pëllumb Abeshi, ish-kryetar i Komisionit të Shpronësimit, por me gjykim të shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet, ndërsa për anëtarin e komisionit Bardhyl Cabiri, GJKKO vulosi dënimin me 2 vjet burg dhe anëtaren Jonida Zeqo 4 vjet, por me gjykim i shkurtuar do të vuaj 2.8 vjet burg. 1.4 vite do të vuaj edhe ish-anëtari tjetër i komisionit, Serafin Papa, teksa i shuhet masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, pasi ka përfunduar koha e dënimit gjatë qëndrimit. GJKKO vendosi që kompanitë “Albtek sh.p.k.” dhe “Integrated Energy”, t’u hiqet titulli i subjektit juridik dhe aksionet e tyre ti kalojnë shtetit./ZËRI