
TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, aktualisht i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste për qarkun e Matit, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Malaj do të përballet në gjyq me deputetin e Partisë Demokratike, Xhelal Mziu. Malaj ka paditur për “shpifje” në SPAK, deputetin Mziu, pas një deklarate të tij publike pak ditë para zgjedhjeve parlametare të 11 majit. Në seancën e sotme, Malaj u paraqit në cilësinë e viktimës së veprës penale, ndërsa Gjykata pritet të shqyrtojë në vijim provat dhe pretendimet e palëve.
Por çfarë ndodhi?
Më 10 maj, në Maqellarë, vetëm një ditë para hapjes së qendrave të votimit, simpatizantë të Partisë Demokratike ndaluan një automjet, duke pretenduar se personat që ishin në të po shpërndanin para me qëllim blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste. Lidhur me rastin, drejtuesi politik i Partisë Demokratike, deputeti Xhelal Mziu akuzoi (asokohe) kandidatin socialist Agron Malaj, duke u shprehur se makina ishte e tija.
"Një mjet është në pronësi të Agron Malajt dhe brenda tij janë të paktën dy persona. Ndërkohë, ka një tjetër mjet që i përket një biznesmeni. Ky mjet është bllokuar nga disa demokratë, të cilët po shpërndanin para në lagjen e Magjellarëve. Sot kam denoncuar një numër të konsiderueshëm, më shumë se 80 persona, vetëm në Bashkinë e Dibrës. Rilindja po sheh që rezultati po shkon 4 me 1, dhe është e qartë se kjo po bëhet me urdhër të kryezyrtarit apo edhe të personave të tjerë që duan të blejnë çdo votë. Ata mendojnë se po shpëtojnë nga disfata. Unë nuk e di se kush është kreu i Task Forcës. Nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti me ta. Kemi bërë edhe disa denoncime që janë paraqitur formalisht, por nuk ka pasur asnjë reagim dhe nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti me autoritetet. Askush nuk është njoftuar deri tani, përveç policisë që është e pranishme,"-tha Mziu.
Si përgjigje, me anë të një videoje, Malaj tha se ai ndodhej në Burrel me shtabin elektoral dhe jo në Maqellarë ku pretendohet se është bllokuar makina nga mbështetësit e PD-së.
Reagimi i Agron Malajt:
“Marr shkas nga deklarata e Xhelal palaços, që thotë makina e Agron Malajt. Agron Malaj është me shtabin elektoral në qytetin e Burrelit dhe nuk ka lidhje fare me makinën e Xhelal palaços edhe Shkëlzen palaços që e nxjerr aty për të përgojuar emrin tim. Makina aty është, makina të verifikiohet. Por këta janë palaço cirku, që Xhelali po përgatit humbjen më të thellë. Dhe i ka ngel në gojë Agron Malaj. Ja, ja ku e keni edhe Xhelo ziun që shpif, që makina në Maqellarë që s’kemi lidhje, dhe ne jemi këtu në Burrel”.
Pas padisë së Malajt, çështja është regjistruar në Gjykatën e Lartë të Korruptimit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku gjykatësja Irena Gjoka do të shqyrtojë rastin dhe do të caktojë datën për seancën e parë./ZËRI