
TIRANË-Ka vijuar sot seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për Leonard Dukën, i cilësuar si kreu i organizatës me emrin “Klani Duka”, që akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019 te “Xhamlliku” në Tiranë. Në seancë sot ka dëshmuar babai i Leonard Dukës, Muhamet Duka, i cili ka rrëfyer se nuk jetonte me dy djemtë e tij dhe se nuk “përzihej” me punët e tyre.
“Aleksandër Maxhaku është i njohur për mua, është nipi im nga motra. Shkurt e thërrasin “Leks”, “Aleks”, varet. Kam 6 vjet pa e takuar, shumë ka. Nuk kam mundur ta takoj, nuk di asgjë ku ndodhet. Dritan Agaj është i njohur për mua. Njeri i njohur për ne. Një mbesa jonë e ka për burrë atë. E kemi tonin deri diku. Dritanin e kam parë me djemtë e mi, i shihja si çuna. Oltion Logën e njoh, e kam parë si fytyrë. E njoh, e kam parë në lagje. Oltionit i thërrisnim edhe “Olt”. Nuk e di me cilin nga djemtë shoqërohej. Fatmir (Hysenin) Doçajn nuk e njihja, e kam dëgjuar në televizor më mbrapa. Ilir Selmanin e kam dëgjuar, nuk e njoh. Blendi Tetën e kam dëgjuar në media, nuk e njoh. Nuk e di kush është. Nuk më ka lidhur puna me i parë. Unë merresha me tregëti, tani jo se jam në pension. Kam pasur lokal timin. Lokali im nuk ka pasur emër. Me menaxhimin merresha unë dhe nusja. Djemtë merreshin me punët e veta, me biznesin e vet. Merreshin me lojërat e fatit. Nuk e di me kë bashkëpunonin. Nuk përzihesha, ata ishin të rritur. Unë jetoj me bashkëshorten. Leonardi ka pas jetuar me vëllanë, të ndarë nga ne. Jetonin me qira. Unë rrija në ‘Fresk’, djemtë nuk e di ku rrinin. As nuk i kam pyetur ndonjëherë, nuk shkoja te banesa e tyre. Ata vinin te shtëpia ime. Ata i kam ndihmuar unë dikur, kur u rritën kishin jetën e vet. Nuk di asnjë gjë për shoqërinë e tyre. Në asnjë mënyrë nuk më ka ndaluar njeri në rrugë. Kam vetëm 2 djem, nuk di ndonjë rast që ata të jenë plagosur. Asnjëherë në jetë nuk ka ndodhur që të më ketë thënë dikush gjysmë llafi”, dëshmoi ai.
Sa i përket Santiago Malkos, babai i vëllezërve Duka deklaroi se nuk e njihte. Madje asnjëherë nuk ka pasur konflikt as me të, e as me Ervis Martinajn.
“Nuk e njoh shtetasin Santiago Malko, as kam patur kontakt, as s’e njoh as se di se kush është. Nuk jam shqetësuar, kërcënuar në asnjë rast prej këtij shtetasi. Djemtë e mi mesa di unë nuk kanë patur konflikt me këtë shtetas. Shtetasin Ervis Martinaj nuk e njoh. Në dijeninë time, djemtë e mi nuk kanë patur konflikt me këtë shtetas”, tha Duka.
GJKKO-së vendosi ta shtynte seancën për më 9 korrik, ora 10:00, ku SPAK pritet të japë edhe konkluzionet penale dhe më pas pretencën për të pandehurit. Të pandehur në këtë proces janë: Leonard Duka, Erlis Duka (i vëllai), Oltion Loga, Aleksander Maxhaku, Fatmir Hyseni dhe Dritan Agaj.
SI NDODHI VRASJA E SANTIAGO MALKOS?
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Deri më tani, I vetmi i dënuar me 25 vite burg është Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.
Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë).
Ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 shprehej se Malko ka gabuar me babanë e Dukës, referuar faktit që ia ka marrë peng dhe i ka dërguar video duke e torturuar. Madje në një episod e quan Malkon skizofren dhe njeri që i ka sjellë vetëm probleme. Biseda është zhvilluar kur dyshja i kishte prishur marrëdhëniet miqësore por edhe ato si ortakë./ZËRI