
TIRANË- Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po mbahet seanca ndaj Leonard Dukës, i akuzuar për urdhërimin e vrasjes së Santiago Malkos. Në seancëne sotme, janë diskutuar të gjitha provat e mbledhura dhe dëshmitë e dhëna nga avokatët mbrojtës të palëve, por edhe nga prokurorët e çështjes. Gjatë seancës, avokatja e Leonard Dukës ngriti dyshime për mënyrën si u trajtua dëshmia e Blendi Tetës, i dënuari me 25 vite burg për vrasjen (vendim që tashmë është prishur).
“Gjatë pyetjes së Blendi Tetës, Prokurori e ka marrë në një seancë tjetër duke i thënë të mos deklarojë. Kjo është në shkelje të ligjit. Cilët kanë qenë policët që e shoqëruan Blendi Tetën në sallat e GJKKO? Prokurori i ka kërkuar të mos japë deklarime para togave të zeza. Kërkojmë të thirren oficerët dhe të deklarojnë se kush ja kërkoi shoqërimin e Blendi Tetës në një tjetër sallë. Kërkojmë nga gjykata të bëhet një verifikim i thënieve të Blendi Tetës,”- tha avokatja. Por jo vetëm kaq! Ndaj Prokurorisë kërkoi edhe sqarime për llogarinë në aplikacionin e koduar "SkyECC", që nga SPAK pretendohet se është përdorur nga Leonard Duka.
“Kërkojmë të dimë nëse kodi i Sky ECC që pretendohet se është përdorur nga Leonard Duka, është përdorur vetëm nga një person apo disa? Kërkojmë të pyetet Erlis Duka, Leonard Duka, Ervis Martinaj etj., nëse janë përdorues të Sky ECC apo në rast se i qëndrojnë provave të sjella nga organi i akuzës. Kërkojmë të thirret edhe Muhamed Duka, babai i Leonard Dukës, të japë deklarime në lidhje me ngjarjen e pretenduar,”-shtoi në listën e kërkesave të saj avokatja.
Nga ana e tij, prokurori i Strukturës së Posaçme, Behar Dibra i cilësoi kërkesat si të pabazuara.
“Kërkesat i shoh të pabazuara dhe të pambështetura sa i përket këtij gjykimi. Për pretendimin e avokates për kontaktimin tim me Blendi Tetën, është e vërtetë që e kam kontaktuar. Nuk ka asnjë pengesë ligjore këtu. Mënyra e identifikimit të aplikacionit Sky ECC është ajo e policëve gjyqësorë, nuk ka mënyrë tjetër. Për thirrjen e personave për të dhënë dëshmi, nuk dihet akoma fati i Ervis Martinajt, vendndodhja e tij për më tepër. Disa prej tyre që kërkohen nga avokatja janë pjesë e këtij gjykimi. Leonard Duka mund të dëshmojë patjetër. Të tjerët janë të pabazuar.”
Pasi dëgjoi të dyja palët, Gjykata e Posaçme vendosi për rrëzimin e kërkesës që të kërkonte marrjen në pyetje të punonjësve të Policisë. Po ashtu, ka marrë një vendim edhe për kërkesat lidhur me aplikacionin "SkyECC".
"Është e panevojshme për ketë proces për verifikimin e thënieve të Blendi Tetës. Për "SkyECC", Gjykata konstaton që aktet janë marrë në kuadër të nje procedimi tjetër. Janë bërë letër porosi në kuadër të dy procedimeve. Për thirrjen e personave të kërkuar në cilësinë e dëshmitarëve, Gjykata thotë se në momentin qe do ketë njoftim nga Policia për kapjen e tyre atëherë mund të paraqiten për të dëshmuar. Për Ervis Martinajn dhe të tjerë nuk ka të dhëna për vendodhjen e tyre,"-u shpreh trupa gjykuese.
Por ka pranuar që të kërkohet për t'u marrë në pyetje në gjyq babai i të akuzuarit, Muhamet Duka.
Ky i fundit, do të merret në pyetje në seancën e radhës, e cila është caktuar për datën 24 qershor, ora 09:00./ZËRI