Aktualitet

U lirua në 2023/ Apeli i GJKKO kthen në burg ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa

Apeli i Posaçëm ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë të 31 majit 2022, dhe tashmë Hasa do të duhet të shlyejë pjesën e mbetur të dënimit në qeli.

F.I
U lirua në 2023/ Apeli i GJKKO kthen në burg ish-prokurorin e
Sali Hasa

TIRANË-Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa, duke ndryshuar kështu vendimin e Shkallës së Parë. Ish-prokurori u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për korrupsion në maj të 2022-it. Dënimi iu konvertua me 4 vite shërbim prove, duke çuar në lirimin e Hasës (në 2023-in), i cili gjithashtu u përjashtua për 5 vite nga funksionet publike.

Apeli i Posaçëm ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë të 31 majit 2022, dhe tashmë Hasa do të duhet të shlyejë pjesën e mbetur të dënimit në qeli.

Hasa dyshohet se mori ryshfet nga Elsona Papa, motra e shtetasit Emiljano Mirani, një personi që prokurori kishte nën hetim, duke i pushuar më pas çështjen. Motër e vëlla u gjetën fajtor gjithashtu për korrupsion. Sali Hasa, shënon edhe rastin e parë kur një prokuror u përball me procesin e vettingut ndërkohë që ndodhej me masë sigurie “arrest me burg”.

Njoftimi i gjykatës: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare),  më datë 18.06.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 19 akti, datë 18.02.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 18, datë 23.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin S.H. - disponuar mbi ankimet e paraqitur ndaj vendimit nr. 36, datë 31.05.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

1.      Lënien në fuqi të vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pandehurin S.H. lidhur me deklarimin e tij fajtor për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e  parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, si dhe llojin dhe masën e dënimit për këtë vepër penale;

2.      Në zbatim të nenit 55, paragrafi 2, të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.H. dënohet me një dënim të vetëm prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim;

3.      Në zbatim të nenit 406, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit S.H. i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 (dy) vjet e 4 (katër) muaj burgim;

4.      Ndryshimin e vendimit nr. 36, datë 31.05.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën tjetër, në këtë mënyrë:

-          Moszbatimin e nenit 59 të Kodit Penal për të pandehurin S.H.;

-          Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a”, të Kodit të Procedurës Penale, e lidhur me nenin 36, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit Penal, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, të konfiskohen dhe të kalojnë në favor të shtetit;

-          Bazuar ne nenin 190, pika 1, shkronja “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, provat materiale, kartëmonedhat në vlerën 1,070,000 (një milion e shtatëdhjetë mijë) lekë dhe 1,000 (një mijë) euro, të sekuestruara me procesverbalin e datës 19.06.2021, t’i kthehen të pandehurit S.H.;  

5.      Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht;

6.      Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij;

7.      U shpall në Tiranë, sot më datë 18.06.2025.

Poll

MOS HUMB