
TIRANË- Pretenca për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, lidhur me procedimin e dytë penal ndaj tij për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone, është shtyrë. Shkak u bë kërkesa e prokurorit Elvin Gokaj. Ai theksoi se janë duke përgatitur konkluzionet përfundimtare në një material prej 75 faqesh, por njëherësh kërkon kohë për të analizuar pretendimet e mbrojtjes të paraqitura në seancën e fundit.
"Kemi përgatitur konkluzionet me 75 faqe por na duhet kohë t'i përfshijmë në fashikuj pretendimet e mbrojtjes në seancën e fundit", u shpreh Prokurori Elvin Gokaj.
Jorgo Goro u raportua në Gjykatë se ndodhet në spitalin e burgut, ndërsa nuk mori pjesë në seancë. Seanca për dhënien e pretencës u la në datë 2 korrik në orën 08:30.
Ai u dënua me 3 vite e 1 muaj burg që me gjykim të shkurtuar, ky vendim zbret në 2 vite e 20 ditë burg. Goro akuzohet për shpërdorim detyre në mënyrë në bashkëpunim me ish-drejtorin e tokës dhe menaxhimit të pronës të Bashkisë Himarë, Vasillaq Strakosha gjithashtu i pandehur në këtë dosje. Referuar dosjes së SPAK, i pandehuri Jorgo Goro provohet të ketë shpërdoruar detyrën dy herë, lidhur me tjetërsimin e pronave, sikundër ka fshehur pasuritë e tij. Ish-kryebashkiaku i Himarës u arrestua për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe tokë, që gjendet në fshatin Gjileke në Dhërmi. Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall.
Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli. Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi. Aktualisht, Goro dhe Bashi janë në "arrest me burg"; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim./ZËRI