
TIRANË- Mes tensioneve është zhvilluar edhe sot seanca për vrasjen e Santiago Malkos, ku po merrej në pyetje, Leonard Duka. Në seancën e sotme, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po merrte pjesë edhe nëna e të ndjerit Malko, e cila është nxjerrë jashtë sallës për shkak të kërcënimeve që lëshoi drejt Dukës.
"S’ta fal gjakun e djalit, do të të vras. Ti ma fute djalin në dhe,"-tha ajo në sallë, fjali që e nxorri jashtë seancës. Pasi u nxorr nga salla, Duka vazhdoi të jepte dëshminë e tij lidhur me raportin që kishte me tashmë të zhdukurin Ervis Martinaj. Pasi ai pretendoi se nuk kishte folur kurrë në telefon me të. Por në këtë moment, prokurorët e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë nxjerrë prova të tjera. Edhe pse u vendos përballë mesazheve në aplikacionin “Sky ECC”, ai vazhdon dhe pretendon se nuk ka pasur një të tillë, madje edhe për fotat që ka dërguar pretendon se nuk është ai.
Pjesë nga diskutimet në sallën e GJKKO:
Avokatja pyet Dukën: A keni pasur “Sky ECC”?
Leonard Duka: Jo.
Avokatja: Sa e keni kodin?
Leonard Duka: S’e kam idenë.
Avokatja: Keni pasur kontakte me persona që kanë pasur “Sky”?
Leonard Duka: Jo, s’kam pasur asnjë kontakt.
Avokatja: Po kjo foto?
Leonard Duka: Nuk jam unë.
Prokurori Behar Dibra: Me Ervis Martinajn keni komunikuar, keni pasur kontakte?
Leonard Duka: Po, e kam takuar.
Behar Dibra: Po komunikime të tjera?
Leonard Duka: Jo.
Leonard Dibra: Po babai juaj, ka pasur ndonjë problem? E keni ndarë me ndonjë?
Leonard Duka: Babai im s’ka pasur asnjë problem.
SI NDODHI VRASJA E SANTIAGO MALKOS?
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMË X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore. Për vrasjen e Malkos, SPAK akuzon 8 persona, ku në krye të grupit janë dy vëllezërit Duka, Leonardi dhe Erlisi. Klani Duka, i akuzuar për vrasjen përbëhet nga: Leonard Duka, Erlis Duka, Ilir Selmani, Ervis Metani, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. Deri më tani, I vetmi i dënuar me 25 vite burg është Blendi Teta, i cili akuzohet si një person që kishte mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Malkos duke njoftuar edhe autorët për të kryer ekzekutimin.
Arsyeja e vrasjes së Malkos u zbuluar nga përgjimet e “SkyECC”. Në bisedën mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, bossi i lojrave të fatit e thoshte hapur se nuk e kishte problem faktin që ish-shoku i tij i ngushtë i kishte vrarë njeriun që kishte të besuar, madje i linte shteg hapur që të vepronte po njësoj edhe me Erigers Mihasin (Edhe ky është vrarë).
Ish-bossi i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej 9 gushtit të vitit 2022 shprehej se Malko ka gabuar me babanë e Dukës, referuar faktit që ia ka marrë peng dhe i ka dërguar video duke e torturuar. Madje në një episod e quan Malkon skizofren dhe njeri që i ka sjellë vetëm probleme. Biseda është zhvilluar kur dyshja i kishte prishur marrëdhëniet miqësore por edhe ato si ortakë./ZËRI