Aktualitet

“Të nxirret jashtë Dumani"! Debate e tensione për “Plumbin e Artë”, përjashtohet avokatja e Altin Ndocit

Gjykata e Posaçme ka urdhëruar prokurorinë që t’i vendosë në dispozicion deklarimet e Erjon Alibejt gjatë vitit 2022.

F.I
“Të nxirret jashtë Dumani"! Debate e tensione për
Erion Alibej

TIRANË-Seanca për "Plumbin e Artë" ku pritej të dëshmonte i pandehuri Skerdi Tase ka dështuar, pasi avokatët mbrojtës të të pandehurve braktisën dhe njëherë sallën. Ishte avokatja e Altin Ndocit, Elda Zotaj, e cila u largua nga salla e gjyqit pasi kërkoi përjashtimin e kryesueses së trupit gjykues, Engjëllushe Tahiraj. Në këto kushte Gjykata vendosi ndërprerje të seancës duke mos zhvilluar kështu as marrjen në pyetje të të penduarit të tretë të dosjes, Skerdo Tasi, i cili ishte pozicionuar në karrigen e dëshmitarit.

Seanca prej dy orësh u përfshi në debate e përplasje mes avokatëve dhe prokurorëve të SPAK, në lidhje me 6 akte hetimore, që kanë të bëjnë me dëshmi të të penduarit të drejtësisë Erion Alibej të dhëna më 2022. Në përfundim gjykata pranoi kërkesën e avokatëve dhe ka urdhëruar prokurorinë që t’i vendosë në dispozicion deklarimet e Erjon Alibejt gjatë vitit 2022.

DEBATET:

Prokuroria Doloreza Musabelliu, arsyetoi se më 29 Qershor 2023 është lidhur marrëveshja: Këto janë provat që kemi sjell në gjykatë. Sa i takon marrëveshjes, ne e kemi në dosje. Nuk mund të vihet në diskutim statusi i bashkëpunëtorit. 29 Qershor 2023 është lidhur marrëveshja. Organi që ia heq statusin është vetëm Organi i akuzës.

Avokati Aldo Shkëmbi teksa e kundërshtoi tha se kërkesa e tyre kishte bazë ligjore.

Aldo Shkëmbi, avokat: Ne jemi në gjykim të zakonshëm. Kërkesa jonë ka bazë ligjore. Nuk mund të na thuhet se sjellim çfarë të duam.

Prokurori Behar Dibra: Këto janë kërkesa te përsëritura. Kur morëm në pyetje Erjon Alibejn nuk u parashtrua kërkesa. Pyetjet duhet të bëhen mbi ato se çfarë ka dhënë në seancë.

I pandehuri, Xhuljan Hoxha: Nëse jemi për të vërtetën, duhet të jemi për të vërtetën dhe jo për trillime.

Avokati Henrik Ligori: Ne duhet të kemi të plota deklarimet që ka edhe prokurori. Kjo është e pandershme. Nëse ka deklarime ato do duhet t’i kenë edhe palët në dispozicion.

Avokat Përparim Kollulli: Nëse përmendet emri i klientit tim unë dua të ndihem me to.

Më pas avokati Sokol Hazizaj i kërkoi gjykatës që në momentin kur të pyetet Erion Alibej të largohet Nuredin Dumani nga seanca. Por kjo kërkesë gjeti kundërshtim nga prokuroria dhe nga vetë Dumani. Gjykata vendosi që gjatë dëshmisë së Erjon Alibejt, Nuredin Dumani mund të qëndrojë në sallë.

Seanca vijoi të kishte përplasje të mëtejshme mes palëve. Avokatja Elda Zotaj, e të pandehurit Altin Ndoci, kërkoi përjashtimin e gjyqtares Engjëllushe Tahiraj nga trupa e gjykimit në procesin “Plumbi i Artë”, e cila është edhe kryesuese e kësaj trupe. Por u kundërshtua nga SPAK, që e cilësoi sjelljen e avokates “të qëllimshme”, duke kërkuar edhe zëvendësimin e saj.

Behar Dibra: Avokatja Elda Zotaj ka sjellje të qëllimshme. Duhet të merret një vendim për të zëvendësuar avokaten, qoftë kryesisht apo dhe i pandehuri ta zëvëndësojë. Bën kërkesa të pambështetura në procedurë. Nuk ka respekt fare për trupën e avokatëve. Duket hapur sjellja e saj kontraverse. Kërkoj të merrni masa dhe të zgjidhet një përfaqëues tjetër për Altin Ndocin. Bëhet për të disatën herë shkak për ndërprerjen e seancës.

Prokuroria Doloreza Musabelliu:Kërkesa është e pabazuar në ligj, kërkojmë të caktohet masë maksimale për avokaten dhe të njoftohet Dhoma e Avokatisë. Kërkojmë të mos vijojë seanca meqënëse Altin Ndoci ëahtë pa mbrojtëse ligjore.

Gjykata e Posaçme vendosi zëvëndësimin e Elda Zotajt me avokaten Pranvera Doci (avokate kryesisht). GJKKO njoftoi që vendimi të ankimohet brenda afatit ligjor. 

Kujtojmë se edhe seanca e kaluar e këtij procesi u ndërpre pas një largimi demonstrativ nga salla të katër avokatëve të të pandehurve, të cilët më pas u ndëshkuan me gjoba nga gjykata. Procesi ndaj Altin Ndocit dhe të bashkëpandehurve të tjerë në dosjen “Plumbi i Artë” vijon të përballet me pengesa dhe tensione të vazhdueshme, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet në një datë të re që ende nuk është bërë publike.

Dosja “Plumbi i Artë” mbetet një nga proceset më të bujshme në luftën kundër krimit të organizuar, pasi përfshin emra të njohur të botës së krimit dhe rrëfime tronditëse të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë ndihmuar në zbardhjen e një sërë veprash të rënda penale./ZËRI

Poll

MOS HUMB