Aktualitet

Jorgo Goro përfundon në spital pas dënimit/ Kërkon pafajësi në Apelin e GJKKO

Jorgo Goro ka bërë ankim, duke kërkuar lirimin dhe pafajësinë e tij.

k.m.
Jorgo Goro përfundon në spital pas dënimit/ Kërkon
Jorgo Goro

TIRANË- Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro është shtruar në spital. Pas shpalljes fajtor dhe dënimit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ai ndodhet aktualisht në ambientet e spitalit të burgut. Sipas "Weblajm", nga spitali i burgut, Goro ka bërë ankim, duke kërkuar lirimin dhe pafajësinë e tij. Por sot nuk e ka pasur të mundur që të paraqitet në sallë për të mbrojtur apelimin e tij për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Përmes avokatëve, ai ka paraqitur ankimin në Gjykatën e Apelit. Ishin avokatët që bënë me dije se klienti i tyre nuk mund të ishte i pranishëm për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Trupa gjykuese pritet të vendosë në vijim nëse seanca do të shtyhet apo do të vijojë në mungesë të tij.

Më 13 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi me 2 vite e 20 muaj heqje lirie, Jorgo Goron. Ish-kryebashkiaku i Himarës është gjetur fajtor për veprat penale "shpërdorim detyre" dhe "tjetërsim të provave". Gjykata e Posaçme ka vendosur po ashtu 2 vite burg për ish-juristin në Hipotekën e Vlorës Vezir Gjikoka (me gjykim të shkurtuar 1 vit e 4 muaj) dhe 3 vite heqje lirie për Jerasimo Bashin (me gjykim të shkurtuar 2 vite burg). Ky i fundit (ish-Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki) bashkë me Goron kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, duke tjetërsuar dy prona.

SPAK, në episodin e parë rezulton se ata kanë çuar për regjistrim një pasuri me dokumentacion të rremë. Ndërsa në të dytin për një sipërfaqe toke kanë konfirmuar një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor. Mësohet se rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut do të kalojnë në favor të shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB