
TIRANË- Policia e Shtetit ka shpallur për shitje disa prej qenve të saj të shërbimit. Kjo është një praktikë e zakonshme për qentë që duhet të dalin në pension, apo që me kalimin e kohës kanë paaftësi për të shërbyer pranë strukturave të Policisë së Shtetit. Sipas njoftimit të shpallur në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, çdo person fizik apo juridik i interesuar për blerje duhet të ketë me vete një dokumentacion të posaçëm. Siç bëhet me dije në njoftimin zyrtar, të interesuarit, duhet të paraqiten në vendin, datën dhe orën e njoftuar pranë komisionit të Ankandit me dokumentacionin që duhet të përfshijë:
-Kërkesë me shkrim për blerje e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
-Garancinë bankare apo mandat pagesën në origjinal që vërteton ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë për llogari të -Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
-Dokument identifikimi (pasaportë biometrike ose letërnjoftim).
Në listën e publikuar për ankand figurojnë gjithsej tetë qen me moshë të ndryshme, të cilët do të shiten me çmim fillestar 10 mijë lekë secili, ose rreth 100 euro. Për të gjithë të interesuarit, qentë do të nxirren në ankand më 15 korrik 2025, në ambientet e Drejtorisë së Shërbimit të Përgatitjes së Policisë./ZËRI