Aktualitet

EKSLUZIVE/ Inskenim apo zhdukje? Policia shkoi për ta arrestuar Inez Hajrullën, nuk u gjet në hotelin në Vaqarr

ZËRI ka mësuar se 1 ditë para publikimit të lajmit se Inez Hajrulla është rrëmbyer, nga një hotel në Vaqarr është raportuar në Polici se ka qenë i shumëkërkuari Inez Hajrulla.

Fjola Graçi
EKSLUZIVE/ Inskenim apo zhdukje? Policia shkoi për ta arrestuar Inez
Inez Hajrrulla

TIRANË-Një ditë përpara se në media të dilte lajmi se i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Inez Hajrulla mund të ishte marrë peng pasi rezultonte se kishte humbur kontaktet me familjen, të tjera informacione dalin në dritë. ZËRI ka mundur të zbulojë ekskluzivisht se mesditën e të mërkurës një telefonatë ka ngritur në këmbë Policinë. Informacioni ka qenë se në një nga dhomat e një hoteli në Vaqarr ndodhej Hajrulla në shoqërinë e një vajze.

Menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.6 bashkë me shërbimet mbështetëse kanë shkuar në ambientet e hotelit për të bërë verifikimet e para. Nga kontrolli ka rezultuar se Hajrulla nuk ndodhej në hotel në atë moment. Policia po verifikon edhe nëse Hajrulla është lajmëruar përpara se Policia të shkonte në hotel. Paralelisht janë marrë edhe kamerat e hotelit në fjalë ndërsa janë pyetur klientët dhe stafi në lidhje me përshkrimin e “El Padrinos” së Vlorës.

Të nesërmen, në media ka dalë lajmi se Hajrulla është marrë peng.

Atëherë çfarë ka ndodhur?

Burime i thanë ZËRI, se policia është duke i verifikuar të dyja pistat, edhe të një inskenimi të mundshëm të ngjarjes por edhe të një zhdukjeje nga kundërshtarët e tij. Babai i tij, Robert Hajrulla, ende nuk ka bërë kallëzim për zhdukjen por ka konfirmuar se prej 2 ditësh nuk ka kontakt me të birin.

A ishte dritarja kohore e largimit nga hoteli, momenti ideal për të ndërtuar një inskenim tani që Policia i është afruar kaq shumë Hajrullës, apo është shfrytëzuar kjo kohë nga kundërshtarët e tij për tu rrëmbyer?

Kjo mbetet për tu parë. Por aktualisht, Policia është duke bërë verifikimet për të zbuluar çfarë ka ndodhur me një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit në Shqipëri, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale./ZËRI

Poll

MOS HUMB