Aktualitet

Dita e 57-të e protestës, qytetarët mblidhen sërish përpara kryeministrisë

Prej gati dy muajsh, qytetarë të grupmoshave të ndryshme janë mbledhur çdo mbrëmje në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

M.K.
Dita e 57-të e protestës, qytetarët mblidhen sërish
foto nga protesta

TIRANË– Mbrëmjen e kësaj të diele u numërua dita e 57-të e protestës kombëtare, e cila nisi më 31 maj, pas incidenteve të ndodhura në Zvërnec. Prej gati dy muajsh, qytetarë të grupmoshave të ndryshme janë mbledhur çdo mbrëmje në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Edhe këtë mbrëmje, protestuesit u mblidhën fillimisht në sheshin 'Skënderbej', nga ku më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë me pankarta dhe thirrje në mbështetje të kërkesave të tyre.

Ashtu si në protestat e mëparshme, përpara Kryeministrisë po mbahen fjalime nga qytetarë të ndryshëm.Protesta e 57-të, pritet të mbyllet natën e sotme me marrshimin e qytetarëve në rrugët kryesore të Tiranës.

Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI

Poll

MOS HUMB