Aktualitet

"Diploma e licenca profesionale", zbulohet laboratori i falsifikimit të dokumenteve, pranga ish-kandidati për deputet

Tafa është ish-kandidat për deputet i Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha.

F.I
"Diploma e licenca profesionale", zbulohet laboratori i falsifikimit
Abas Tafa

TIRANË-Policia ka zbuluar në Tiranë një laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencat profesionale.

Si rezultat i operacionit u arrestua 51-vjeçari Abas Tafa, i dyshuar si organizatori i kësaj veprimtarie të kundërligjshme. Tafa është  ish-kandidat për deputet i Koalicionit EuroAtlantik të drejtuar nga Lulzim Basha.

Në banesën e tij u sekuestruan qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet nga Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Laboratori”.

Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve të ndryshme, si dhe licencave profesionale.

Sekuestrohen qindra dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme, që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale. 

Vihet në pranga një shtetas.

Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Laboratori”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi A. T., 51 vjeç.

Gjatë kontrollit të banesës së 51-vjeçarit, në Zall-Bastar, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e diplomave të shkollave të mesme, universiteteve, programeve master dhe licencave profesionale.

Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB