
TIRANË- Detaje të reja janë mësuar nga ekzekutimi që ndodhi pasditen e djeshme në Tiranë, ku u vra me armë zjarri Alfred Dedja nga Julian Gjoshi. Mësohet se viktima ishte i ulur vetëm në tavolinë në një lokal në momentin kur autori qëllon drejt tij. Dedja sapo ka parë Gjoshin t’i afrohet tavolinës së tij, është ngritur në këmbë për ta përshëndetur dhe më pas Julian Gjoshi ka qëlluar me armë zjarri drejt tij duke e lënë të pajetë.
Gjoshi, ka qenë i pamaskuar në momentin e krimit dhe më pas është larguar në drejtim të Shijakut me një mjet “Mercedes Benz”, të tipit “ML” dhe ende nuk është kapur nga policia. Dedja, siç edhe bëhet me dije e ndante jetën mes Shqipërisë dhe Italisë. Në Shqipëri, ai kishte një shtëpi në zonën e Ndroqit, ku edhe u vra, ndërsa në Itali dyshohet se është përfshirë në trafikun e drogës.
Dedja, shumë vite më parë ka punuar në kompleksin “Golden” që është në pronësi të Altin Hajrit, kunatit të Gjoshit. Aty Dedja ka qenë menaxher, por gjithashtu është përfshirë edhe në ‘punë’ të tjera me vëllezërit Hajri, si trafikun e drogës, lojërat e fatit dhe lotot. Ajo që nuk dihet është se çfarë e ka krisur këtë bashkëpunim që solli vrasjen e 50-vjeçarit sot.
Emri i Gjoshit nuk është i panjohur për Policinë e Shtetit. Ai është një person me precedent penalë dhe emri i tij është lakuar në bisedat mes Hajrit dhe ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, në momentin që u vu në pranga në vitin 2021. Altin Hajri kontaktoi Çyrbjan dhe i kërkoi ta ndihmojë me qëllim lirimin e Gjoshit. /ZËRI