
TIRANË- Personi që po shikoni në foto është Alfred Dedja, rreth 50 vjeç, i cili u vra pasditen e sotme në Ndroq. Nga dinamika e zbardhur deri më tani, Dedja ishte ulur me një grup miqsh në një nga lokalet më me emër në zonën e Ndroqit. Rreth orës 15:30, Julian Gjoshi është futur brenda lokalit dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej ulur Dedja.
Në këtë moment, 50-vjeçari kur e ka parë, është ngritur dhe është afruar ta përqafonte. Por, në këto çaste, 27-vjeçari e ka qëlluar me dy plumba, pa i folur fare.
Më pas, Julian Gjoshi ka hipur në mjetin “Mercedes Benz”, tip “ML” dhe është larguar në drejtim të Shijakut. 27-vjeçari është në kërkim nga policia.
Pista kryesore e hetimit është prishja e pazareve të drogës. Gjoshi rezulton të jetë kunati i Altin Hajrit, që është në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jani Prengës. Emri i tij ka dalë dhe në dosjen e arrestimit të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja.
Gjoshi përmendet në momentin që vihet në pranga pasi efektivët e policisë i gjejnë një armë zjarri në automjet. Për rrjedhojë, Hajri kërkon ndihmën e Jurgis Çyrbjas për lirimin e Gjoshit.