Aktualitet

Check-up-i në “ngërç”/ Pezullohet blerja e kiteve dhe materialeve, mjekët bllokojnë kontrollet

Raportimet e para nga qendrat shëndetësore tregojnë se kitet për Check-up-in kanë filluar të mungojnë ose janë të limituara, duke detyruar mjekët e familjes të bllokojnë kontrollin bazë të qytetarëve.

F.I

Check-up-i në “ngërç”/ Pezullohet blerja e kiteve

TIRANË-Kalimi i programit kombëtar të Kontrollit Mjekësor Bazë (Check-up) nga duart e privatit te shteti ka nisur me një ngërç të shumëanshëm që rrezikon të paralizojë shërbimin në terren. Pasi kontrata koncesionare 10-vjeçare me kompaninë 3P Life Logistic, përfundoi në shtator, qeveria vendosi shtetëzimi e plotë të këtij shërbimi.

Për të kryer shërbimin, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore shpalli një tender me vlerë 18 milionë euro për blerjen e kiteve dhe materialeve të domosdoshme që analizat të kryeshin nga strukturat publike. Ky tender u nda në 5 lote.

Por tashmë tenderi është pezulluar plotësisht. Siç tregojnë dokumentat zyrtare të bëra publike nga Kapital, 4 lote kryesore të kësaj procedure të hapur nga kompania e re shtetërore, Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore Sh.A., mbajnë statusin zyrtar “Pezulluar”.

Check-up-i në “ngërç”/ Pezullohet blerja e kiteve

Vlera e përbashkët e këtyre loteve të ngrira në sistemin e prokurimeve kap shifrën marramendëse prej 1,46 miliardë lekë ose rreth 126 milionë euro.

Çfarë është bllokuar konkretisht?

Pezullimi ka goditur direkt furnizimet jetike për laboratorët shtetërorë që pritet të marrin në dorëzim fluksin e qytetarëve:

• Loti 1: Blerje kite-reagent për pajisje Abbott ose ekuivalent (433.2 milionë lekë) – I PEZULLUAR

• Loti 2: Blerje kite-reagent për pajisje Roche Diagnostic ose ekuivalent (807 milionë lekë) – I PEZULLUAR

• Loti 4: Blerje kite/testesh diagnostike për përcaktimin e gjakut okult (FOB) (127.3 milionë lekë) – I PEZULLUAR

• Loti 5: Blerje materiale mjekësore për programin bazë (100.6 milionë lekë) – I PEZULLUAR

Pezullimi i tenderit, lidhet edhe me një rrotacion administrativ në kupolën drejtuese të institucionit prokurues. Në ditën e shpalljes së këtij tenderi, ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka hedhur firmën e saj të parë në detyrë duke shkarkuar administratoren e OSHISH, Arisa Cane dhe duke e zëvendësuar atë me Yllka Shetan. Ky shkarkim – i cili erdhi paralelisht me pikëpyetjet e mëdha mbi procedurat e tjera të këtij operatori si ajo e hemodializës.

Përplasja ligjore në letra dhe rrotacioni i administratës po ndihen direkt te qytetarët. Raportimet e para nga qendrat shëndetësore tregojnë se kitet për Check-up-in kanë filluar të mungojnë ose janë të limituara, duke detyruar mjekët e familjes të bllokojnë kontrollin bazë të qytetarëve.

Ndërkohë që qeveria hoqi kufirin e moshës duke e zgjeruar fashën për të gjithë personat mbi 35 vjeç, ngërçi administrativ dhe bllokimi i tenderit të materialeve prej 1.46 miliardë lekësh rrezikon ta kthejë premtimin e shtetëzimit në një dështim të parakohshëm./Kapitali.al

Poll

MOS HUMB