
ROMË- Gjykata e Apelit të Romës ka vendosur për të tretën herë që emigrantët e paligjshëm që u çuan në kampin e Gjadrit të kthehen në Itali. Gjykata e Romës e mori këtë vendim gjatë mbrëmjes së sotme dhe emigrantët duhet të kthehën menjëherë në Itali. 43 emigrantët që erdhën në vendin tonë më 28 janar, do të rikthehen nesër në Itali. Kjo gjykatë ka ende të drejtë të japë vendimin e saj për këtë çështje, deri sa të jepet ai i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë më 25 shkurt.
Ky është kontigjenti i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Shqipëri. Më 16 tetor dhe 8 nëntor 2024, anija luftanike “Libara” solli në Shqipëri dy kontigjente me 24 emigrantë, kryesisht nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët, pas vendimit të gjykatës italiane, u rikthyen në vendet e origjinës, pasi këto dy shtete u cilësuan si vende të sigurta.
Deri më tani qendrat pritëse kanë qenë bosh, pasi në nëntor emigrantët, dhe pjesa më e madhe e policëve italianë, punonjësve socialë dhe organi drejtues i qendrave në Shqipëri për riatdhesimin e emigrantëve u larguan nga Gjadri. Vendimi erdhi pas bllokimit të njëpasnjëshëm të Gjykatës së Romës për mbajtjen e emigrantëve në qendrën e Gjadrit.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar./ZËRI