Aktualitet

Bllokohet mbi 100 kg djathë në Shkodër/ AKU 'fsheh' shkakun

Sipas informacionit zyrtar të AKU-së sasia e djathit është bllokuar, pas kryerjes së analizave laboratorike.

F.I
Bllokohet mbi 100 kg djathë në Shkodër/ AKU 'fsheh'
FOTO ILUSTRUESE

SHKODËR- Teksa sot siguria ushqimore është një prej sfidave më të mëdha me të cilën ndeshen konsumatorët, një tjetër produkt i ndaluar duket se i është shtuar listës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shkodër ka njoftuar bllokimin e një sasie prej 114 kilogramësh djathë kaçkavall dele. Sipas informacionit zyrtar të AKU-së sasia e djathit është bllokuar, pas kryerjes së analizave laboratorike dhe është bërë ndërprerja e menjëhershme e procesit të prodhimit, ambalazhimit dhe paketimit të djathit.

Por AKU nuk jep informacion konkret mbi shkaqet që sollën bllokimin e produktit dhe as emrin e subjektit ku prodhohej. Institucioni konfirmon dhe asgjësimin e produktit, por nuk dihet nëse kemi të bëjmë me prani të një substance të ndaluar në përbërjen e djathit apo me probleme në kushtet higjieno-sanitare ose paketimin?

Njoftimi: 

Bllokohet produkti “Djathë kaçkavall dele” pas analizave laboratorike – masa të menjëhershme për sigurinë ushqimore gjatë sezonit turistik

Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Shkodër ka intensifikuar inspektimet në kuadër të monitorimit të situatës ushqimore gjatë sezonit turistik. Në funksion të garantimit të sigurisë së produkteve me origjinë shtazore, është ndërmarrë një inspektim jashtë planit në një subjekt me aktivitet Stabiliment për përpunimin e qumështit, pas rezultateve të analizave laboratorike të kryera në kuadër të kontrollit zyrtar.

Në zbatim të Ligjit Nr. 99/2024, datë 12.09.2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Neni 46, pika 1, AKU ka marrë masën e bllokimit të produktit “Djathë kaçkavall dele”, në sasinë prej 114 kilogramësh, me destinacion përfundimtar asgjesimin e tij.

Njëkohësisht, është ndërmarrë bllokimi i linjës së prodhimit dhe ndërprerja e menjëhershme e procesit të prodhimit, ambalazhimit dhe paketimit të këtij produkti, derisa të përmbushen kushtet për rifillim të sigurt të aktivitetit. AKU Shkodër njofton se do të vijojë me kontrolle të përforcuara në të gjitha stabilimentet përpunuese të qumështit në qark, duke vendosur në fokus mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe garantimin e cilësisë së produkteve që vihen në treg, veçanërisht në këtë periudhë me fluks të lartë turistik. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon qytetarët të raportojnë çdo dyshim mbi produkte ushqimore të pasigurta përmes kanaleve zyrtare të kontaktit./ZËRI

Poll

MOS HUMB