
TIRANË-Drejtoria e Hetimit pranë Administratës Tatimore ka nisur hetimet ndaj 100 individëve dhe subjekteve, të cilët dyshohen për mosdeklarimin e të ardhurave të përfituara nga rrjetet sociale. Bëhet fjalë për rreth 33 milionë euro të padeklaruara, burimi i të cilave janë Facebook, TikTok, YouTube, Instagram, Google, PayPal.
Njoftimi:
Drejtoria e Hetimit ka nisur hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale (Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal), ku nga verifikimet paraprake dyshohet për rreth 33 milionë euro të padeklaruara
Administrata Tatimore ka njoftuar më datë 29 mars, përmes rrjeteve sociale, që individët dhe subjektet të përmbushin detyrimet ligjore nëpërmjet vetëdeklarimit në DIVA 2024.
Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar.
Të gjitha të ardhurat e fituara nga platformat online duhet të deklarohen dhe mbi to aplikohet edhe tatimi prej 15%. Tatimet kanë ftuar tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar./ZËRI