Aktualitet

Me një qese plehrash në dorë! Si u arratis nga burgu "Akili", SKEMA e përsosur që thuri i "forti i Durrësit"

Plakut i kishin mbetur dhe pak muaj nga dënimi i tij.

I.F
Me një qese plehrash në dorë! Si u arratis nga burgu
Xhevdet Plaku

ITALI- Me një qese plehrash në dorë, Xhevdet Plaku është arratisur nga burgu Barcaglione në Itali. 44-vjeçari është një person i njohur për drejtësinë shqiptare dhe italiane, pasi është autori i dy vrasjeve Sali Rapit dhe Saimir Sinës. Për Plakun, janë thurur plane për ta ekzekutuar nga Rexhep Arapi, ku u përfshi edhe ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, Dedan Gjoni. Mediat italiane e përshkruajnë arratisjen e tij të zhvilluar në heshtje, pa spektakël, por të studiuar mirë dhe me përpikmëri. Prej ditës së djeshme autoritetet italiane kanë kryer kontrolle në të gjitha zonat pranë burgut, por asnjë gjurmë nga Plaku.

Plakut i kishin mbetur dhe pak muaj nga dënimi i tij. Sipas ligjeve italiane, tre muaj më parë atij iu lejua që të punojë në burg, por pa një shoqërues, kjo ishte një mundësi që 44-vjeçari e shfrytëzoi për t’u arratisur. Në mëngjesin e së enjtes, rreth orës 8.30, ai ka dalë për të zbrazur koshat. Një rutinë e përditshme, por që u kthye në një arratisje, deri tani, perfekte.

Në orën 11.30, kur oficerët e burgut kanë kryer kontrollet rituale, Plaku nuk i është përgjigjur thirrjes. Më pas alarmi u ngrit menjëherë për arratisjen e tij. Zona përreth Barcaglione është e madhe, e përbërë nga fusha dhe shtëpi fermash të vjetra të braktisura. Por është si të kërkosh një gjilpërë në një kashtë dhe ai tashmë është zhdukur.

Por kush është Xhevdet Plaku?

Xhevdet Plaku është i njohur me nofkën “Akili” dhe ka qenë shënjestra e Rexhep Arapit për ta ekzekutuar. Plaku, ka plot 25 identitete të ndryshme dhe për eliminimin e tij ka ndërhyrë edhe ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, Dedan Gjoni. Por ende nuk dihet se përse donte "Kap Arapi" që të eliminonte Plakun, i cili cilësohet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilin e drejtonte nga Amsterdami. Për këtë atentat të thurur "Kep Arapi" u dënua me 5 vite burg nga Gjykata e Posaçme. Bashkë më të është dënuar me 4.8 vite burg edhe Dedan Gjoni, pasi dyshohet se nxorri në pritë Plakun për ta ekzekutuar. Po me 4.8 vite u dënuan edhe Algert Rapi dhe Dejvi Gjermëni.

Plaku është një emër i njohur në botën e krimit, përveç atë të trafikut të drogës por edhe për dy vrasje. Në vitin 2000 ai ekzekutoi Sali Rapin në Borghetto Santo Spirito, në zonën e Savonës: një ekzekutim gjakftohtë, ku ai e qëlloi në kokë për larje hesapesh mes bandave kriminale. E dyta, ndodhi në Durrës në vitin 2004, ku shënjestra ishte Saimir Sina. Ndryshe nga vrasja e Rapit, Sinën ai e ekzekutoi për t’u hakmarrë për të dashurën e tij, e cila u prostitua nga viktima. Vrasja ndodhi në lagjen Nr.15, në zonën e Spitallës, e gjitha pasi Sina duke e ditur se Plaku kishte të dashur shtetasen Nertila K., e duke përfituar dhe nga njohja personale me këtë vajzë, i kishte propozuar për ta çuar në mënyrë ilegale në Itali, me qëllim për ta bashkuar me të.

Ajo e pranoi këtë propozim dhe në vitin 2001, Sina në bashkëpunim me një person tjetër, e çuan atë në Itali, duke ndryshuar destinacionin dhe e dërguan në Romë dhe e detyruan të ushtronte prostitucion. Nertila arriti të rikthehet në Shqipëri dhe denoncoi ngjarjen, pasi Plaku mori vesh çfarë ndodhi me të dashurën e atij, ai mori hak. Viktimën e kishte mbajtur në vëzhgim dhe vetëm 3 ditë pasi kishte dalë burgu e qëlloi për vdekje fare pranë banesës së tij në Spitallë të Durrësit. 22-vjeçari Saimir Sina, u qëllua me tre plumba nga të cilët gjeti vdekjen e menjëhershme, ndërsa dëshmitarë të vrasjes kanë qenë të gjithë familjarët e viktimës, madje dhe vajza e tij e mitur.

Për këtë vrasje ai u dënua me 21 vite e 6 muaj burg, por gati 10 vjet pas ngjarjes dhe proceseve të shumta gjyqësore, më 22 shkurt 2013, Plaku u lirua për mungesë provash. Më pas, u largua nga vendi drejt Holandës, atje ku ngriti "perandorinë" e tij të trafikut të drogës. Bazuar në hetimet e agjensive të huaja, në "punën" pakove të drogës u vinte emri luksi sipas markave të njohura të modës, në bazë të cilësisë së mallit. Kokaina më e pastër e quante ‘Hermes’, pastaj vinin ‘Lacoste’, ‘G4’, ‘Rolls Royce’ e ‘Playboy’. Një nga përgjimet e kryera nga hetuesit që çuan në zbulimin e kartelit shqiptar që importonte nga Holanda e Belgjika në Brescia tonelata droge.

Për autoritetet, gjithçka tregon një arratisjeje të planifikuar. Plaku kishte pritur momentin e duhur dhe u arratis. Sipas autoriteteve italiane, ai mund të jetë ndihmuar nga dikush tjetër nga jashtë që e ka pritur atë dhe më pas janë arratisur. /ZËRI

Poll

MOS HUMB