
DURRËS-Një tjetër skandal zbarkon në Autoritetin Portual të Durrësit (APD), ku këtë herë drejtuesit (dhe ish drejtuesit) e institucionit kanë shpërdoruar pushtetin e tyre për të zbatuar rritje e pagash sipas interesave personale, duke shpërblyer në mënyrë selektive vetëm 21 punonjës si drejtorë dhe specialistët e prokurimeve por duke përjashtuar pjesën më të madhe të stafit prej afro 500 vetash.
Rritje selektive pagash: 21 të privilegjuar, 500 të harruar
Në maj të vitit 2023, qeveria miratoi VKM-në nr. 325, e cila përcaktonte strukturën e re të pagave për një sërë kategorish të administratës publike. Vendimi përfshinte rregullime që synonin barazinë dhe shpërblimin e drejtë për punonjësit, duke përfshirë edhe shtesën për vjetërsinë në punë. Ndërkohë në Autoritetin Portual të Durrësit, ky vendim është zbatuar në mënyrë të pjesshme dhe arbitrare.
Në vend që të përfshihej i gjithë stafi prej rreth 500 personash, rritjet e pagave u zbatuan vetëm për 21 persona, kryesisht drejtues të lartë dhe disa specialistë të zgjedhur. Disa prej tyre përfituan deri në 40,000 lekë të rinj shtesë mbi pagën mujore, ndërsa pjesa dërrmuese e punonjësve, përfshirë stafin operacional dhe personelin e sigurisë, u lanë jashtë. Ky realitet vazhdon dhe sot në vitin 2025.
Një vendim, dy standarde
Ish-drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, z. Pirro Vengu, ishte ndër të parët që u kujdes të zbatonte vendimin në favor të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Rritja e pagave vetëm për bashkëpunëtorët e tij u justifikua si “shpërblim për aftësi të veçanta,” një argument që nuk mbështetet në asnjë kriter konkret apo të qartë.
Çfarë përfaqësonin këto “aftësi të veçanta”? Pse nuk u ofrua asnjë transparencë për mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve? Këto pyetje mbeten pa përgjigje, duke ngritur dyshime për klientelizëm dhe përzgjedhje të qëllimshme.
Punonjësit kërkojnë drejtësi
Ndërkohë, punonjësit që nuk kanë përfituar as rritje page, as shtesën për vjetërsinë e punës, kanë reaguar kundër këtij akti të padrejtë. Një peticion i dorëzuar nga stafi ka kërkuar shpjegime nga drejtuesit e APD-së. Në një takim zyrtar, përgjigjja e dhënë ishte e qartë dhe zhgënjyese: rritjet e pagave do të aplikohen vetëm për 21 të përzgjedhurit.
Kjo mënyrë selektive e shpërblimit godet rëndë moralin e punonjësve, të cilët ndihen të nënvlerësuar dhe të shpërfillur. Në vend që vendimi i qeverisë të shërbente për të unifikuar dhe motivuar stafin, sidomos ata që punojnë në terren në kushte të vështira atmosferike, ish drejtuesi z. Pirro Vengu motivoi vetëm besnikët e tij.
A është APD mbi ligjin?
Nëse Autoriteti Portual i Durrësit është pjesë e fushëzbatimit të VKM-së nr. 325, ku dhe janë bazuar për rritje të pagave të disa drejtorëve, atëherë përse nuk janë zbatuar shtesat e përcaktuara për të gjithë stafin? Pika “ç” e vendimit për shtesën mbi pagë për vjetërsinë në punë është shpërfillur totalisht për pjesën tjetër të punonjësve.
Kjo shkelje flagrante e ligjit është një sinjal i qartë i neglizhencës dhe diskriminimit. Është e domosdoshme të kryhet një hetim si fillim që të sqarojë nëse Autoriteti Portual Durrës është pjesë e fushëzbatimit të kësaj VKM-je dhe nëse po, si është shpërfillur ligji në mënyrë kaq flagrante. Pa një interpretim të saktë dhe veprime konkrete, ky institucion do të vazhdojë të përfaqësojë shembullin e shpërdorimit të fondeve. Drejtësia dhe barazia nuk janë luks, por të drejta themelore të çdo punonjësi./Lapsi.al