Aktualitet

Do nxirrte në pritë Xhevdet Plakun? Lihet në burg ish-shefi i krimeve i komisariatit 6 në Tiranë

Dedan Gjoni dyshohet se do nxirrte në pritë Xhevdet Plakun, pasi e thirri në komisariat.

D.XH
Do nxirrte në pritë Xhevdet Plakun? Lihet në burg ish-shefi i
Xhevdet Plaku dhe Dedan Gjoni

TIRANË – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në burg Dedan Gjonin, Rexhep Rapin dhe Algert Rapin.

Ish-shefi i krimeve pranë Komisariatit numër 6 në Tiranë dyshohet se ka thirrur në Komisariatin e Shijakut të dyshuarin për trafik droge Xhevdet Plakun për ta nxjerrë në pritë “të fortin e Shijakut”, Rexhep Rapi, i cili është prangosur, pas zbardhjes së përgjimeve në Sky Ecc.

Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 25.01.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 06 akti, datë 19.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim R.R., A.R., dhe D.Gj., me objekt:

“Ankim ndaj vendimit nr. 139, datë 22.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 139, datë 22.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Bisedat në Sky Ecc çuan në zbulimin e një grupi kriminal, që rezulton se është përfshirë në trafik droge nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje të ndryshme kriminale, që kanë ndodhur në Shqipëri, ku të përfshirë dyshohet se kanë qenë edhe policë dhe ish-zyrtarë policie. Grupi përbëhej nga 11 persona, ndërsa për disa prej tyre janë lëshuar urdhër-arreste. Të arrestuar si pjesë e grupit kriminal janë ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, shefi i krimeve në Komisariatin 6 Dedan Gjoni, Bujar Gërmizi, emër i njohur i botës së krimit në qytetin e Kukësit.

Në kërkim u shpallën Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, Albert Prenga, Ismail Zeneli, Artan Sulejmani, Bajram Grabova, Ndërsa, Gjykata e Posaçme ka vendosur “detyrim paraqitje” për Jonida Babametaj, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit. Arrestimi i Breçanit dhe Gjonit ndodhi pranë stadiumit Air Albania, teksa ata ishin nisur për të parë një ndeshje të Kombëtares së Shqipërisë. Breçani dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.

Bujar Gërmizi, emër i njohur i botës së krimit në Kukës, në bashkëpunim me shefin e krimeve Dedan Gjonin dhe Besmir Mustatin dyshohet se donin të vrisnin dy vellëzër në Britaninë e Madhe, për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Ndërsa, Jonida Babameto, e cila punonte si oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, dyshohet se ka dhënë informacione nga sistemi për dy vëllezërit, që ishin në ‘shënjestër’. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe pasuri të paligjshme të personave të hetuar./ZËRI/

Poll

MOS HUMB