
ITALI- Gjykata e Kasacionit ka dalë me një raport për protokollin Itali-Shqipëri. Raporti mban datën 18 qershor, por ende nuk është publikuar në faqen e internetit të Gjykatës. Megjithatë, mund të gjendet në "Italgiure", bazën e të dhënave të "rregullave, jurisprudencës dhe bibliografisë" të Gjykatës së Kasacionit. Në këto orë ai qarkullon midis juristëve dhe media italiane "Il manifesto" ka mundur ta shohë atë. 48 faqet përshkruajnë një anatomi të detajuar ligjore të të gjitha çështjeve që sillen rreth qendrave të Shëngjinit dhe Gjadërit.
Çështjet kritike që lidhen me projektin e Shqipërisë janë të shumta: raporti ka ngritur shqetësime për papërputhshmërinë me Kushtetutën dhe me të Drejtën Ndërkombëtare. Kjo sepse midis protokollit të Shqipërisë dhe të drejtave të Gjykatave ekziston një marrëdhënie e ndërlikuar, plot me kontradikta dhe "vrima të zeza".
Doktrina e shumicës, siç thuhet në raport, pohon se "Sistemi i Përbashkët Evropian i Azilit ka një dimension të jashtëzakonshëm territorial" dhe për këtë arsye aplikimi për mbrojtje në territorin e një vendi të tretë krijon diskriminim, duke zvogëluar mbrojtjen. Megjithatë, ekziston një nivel që gjykatat e ndryshme nuk e kanë eksploruar ende: marrëdhënia midis protokollit dhe Kushtetutës. Raporti nxjerr në pah disa pika të mundshme mosmarrëveshjeje, mbi të cilat ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese mund të jetë e nevojshme në të ardhmen. Lidhur me Nenin 3, barazia para ligjit, raporti flet në mënyrë të përgjithshme për "emigrantët" sepse nuk është e përcaktuar saktësisht se kush duhet të transferohet në Shqipëri: kështu krijon një trajtim të pabarabartë midis të huajve.
Probleme të mëtejshme mund të lindin në lidhje me Nenin 13, paprekshmërinë e lirisë personale, sepse kur skadojnë efektet e urdhrit të ndalimit, është materialisht e pamundur të lirohet personi i ndaluar. Pritja për transportimin në Itali krijon një ndalim "sine titulo", i cili mund të zgjasë me orë ose edhe ditë. Pastaj është çështja e të drejtës së mbrojtjes, Neni 24, i cili kompromentohet rëndë përtej Adriatikut.
Raporti më pas përqendrohet më pas në një çështje tjetër me legjitimitet të dyshimtë që, pavarësisht kërkesave të avokatëve të emigrantëve, ende nuk është trajtuar nga gjyqtarët. Është ajo e përzgjedhjes së shtetasve të huaj që do të deportohen në Shqipëri.
Shkurt, kontradiktat midis protokollit dhe ligjeve janë shumë më të shumta se ato të shqyrtuara deri më tani nga gjykatat. Përplasja midis qeverisë dhe gjyqësorit duket sikur vetëm sapo ka nisur.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet ndërsa në vendin tokë u kërkua edhe një aprovim i gjykatës kushtetuese. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatët nga territori shqiptar. Afati maksimal i qëndrimit të emigrantëve në kampin e Gjadrit, do jetë 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin./ZËRI