Aktualitet

Kontrata e lobimit të PD zyrtarisht nën hetim/ SPAK po kërkon burimin e financimit

Mësohet se Partia Demokratike ia ka vendosur në dispozicion SPAK-ut kontratën e lobimit me kompaninë lobuese amerikane "Continental Strategy LLC".

k.m.
Kontrata e lobimit të PD zyrtarisht nën hetim/ SPAK po kërkon
Sali Berisha dhe Nuredin Seci

TIRANË- Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike aktualisht po "shihet me lupë" nga hetuesit në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Gazetasi.al është në dijeni të komunikimit zyrtar mes kryetarit të SPAK-ut, Altin Dumani dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka, se dosja tashmë po hetohet. Pasi u njoftua se SPAK kishte regjistruar një hetim për çështjen e kontratës së lobimit, media i është drejtuar me dy kërkesa për informacion SPAK. Në përgjigjen e parë, SPAK bëri me dije për të gjitha mediat, Dumani bëri me dije se “Prokuroria e Posaçme po kryen verifikime në kuadër të materialit kallëzues 141”.

Ndërsa në letrën e dytë në 24 qershor, në përgjigje thuhet: Prokuroria po kryen veprime hetimore në kuadër të procedimit penal 143 dhe se objekti i hetimit është procedura e negocimit, lidhjes dhe financimit të kontratës.

Kështu që çështja është zyrtarisht nën hetim. Mësohet se Partia Demokratike ia ka vendosur në dispozicion SPAK-ut kontratën e lobimit me kompaninë lobuese amerikane "Continental Strategy LLC". Edhe pse hetimet janë zbuluar, SPAK nuk ka bërë ende me dije se çfarë të dhënash ka gjetur që nga verifikimi i kontratës, por duket se në fokus është gjetja dhe hetimi i burimit të financimit, që në këtë rast është deklaruar se është një i moshuar nga Tropoja, Nuredin Seci. 

Lidhur me kontratën, në daljet e tij në mediat, Berisha tha se nga arka e Partisë Demokratike s'ka ardhur dhe dalë asnjë qindarkë.

Sali Berisha: I vlen Shqipërisë sepse duhet të bëjmë të plotë autopsinë e narkoshtetit pranë administratës së Donald Trump. Kjo autopsi e shtetit është kushti i të gjitha kushteve për të rivendosur marrëdhëniet miqësore intensive të Shqipërisë me SHBA-të. Kjo autopsi është kushti që në bashkëpunim me SHBA-të, të punojmë fort për të shpallur grupe terroriste bandat e Edi Ramës, në Elbasan, Shkodër, Durrës e kudo që janë. Trump dekretoi trafikantët e drogës grupe terroriste. Ne po punojmë dhe do të punojmë fort që grupet shqiptare të futen në grupe terroriste, ti shpallim si të tilla. Ka 12 vjet që s’ka një investitor serioz në Shqipëri. Ne do bëjmë gjithçka për të tërhequr investimet e mëdha, ndaj dhe kjo kontratë lobimi na shërben edhe për këtë gjë, është shumë më e gjerë nga sa flitet. Kjo kontratë lobimi është për çdo shqiptar. Janë demokratët, patriotët që kërkojnë të shohin Shqipërinë të madhe, dhe krijuan fondacionin me të cilin gjetën një kompani me avoketërit më të shquar të SHBA-ve, për të përfaqësuar interesat e shqiptarëve. Kjo është një gjë e jashtëzkonshme. Ne kemi pranuar ndihmën e një fondacioni të bëjmë Shqipërinë të madhe përsëri. S’kemi asnjë lidhje me listat. Kjo nuk është kontratë e jona, ne thjeshtë pranojmë shërbimin. Nga arka e PD-së ska ardhur dhe dalë asnjë qindarkë, e tëra është veprimtari e një fondacioni atdhetarësh që duan të nxjerrin Shqipërinë nga narkoshteti. Kontrata mund të rishqyrtohet çdo muaj, fondacioni vetë e shqyrton. PD nuk është palë në kontratë. Është një kontratë që nuk ka lidhje me zgjedhjet. Kjo ka lidhje me lobimin për interesa të shqiptarëve pranë Administratës së SHBA-ve.

Kontrata e lobimit e Partisë Demokratike në SHBA është firmosur më prill nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka është bërë me kompaninë amerikane "Continental Strategy". Vlera e kontratës arrin në 6 milionë dollarë, nga të cilat 3 muajt e parë 750 mijë dollarë janë paguar tashmë. Kompania merr përsipër t’i ofrojë PD-së shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh si krijimi i marrëdhënieve me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative për të lehtësuar zhvillimin e politikave dhe objektivave të saj elektoral dhe qeverisës./ZËRI

Poll

MOS HUMB