
TIRANË- Prokuroria e Posaçme dyshon se për vrasjen e Elis Roshkodolit kryer një vit më parë, është angazhuar një grup kriminal, që u krijua për të marrë hak për ngjarje të ndodhura jashtë vendit, prej nga ku viktima ishte kthyer prej një viti. Deri më tani për atentatin që i mori jetën të riut kanë përfunduar në burg Voltan Xhani dhe kushëriri i tij që punonte në servisin e marrë me qira, në kërkim mbetet ende Dritan Milani, i cili ka dyshime se ka qenë në shënjestër të një atentati të mëparshëm ku dhe ka mbetur i plagosur i vëllai Olger Stolaj.
Prokuroria ka rindërtuar skenën e krimit, duke thënë se i riu po pinte kafe me një shok ditën kur u qëllua për vdekje nga një person që kishte vendosur një maskë Covidi. Vrasësi mbërriti në vendngjarje me një mjet që i kishte vendosur targa të vjedhura në Malin e Zi dhe rrugës targat u ndryshuan me të tjera që ishin denoncuar si të humbura nga një shtetas gjerman i hetuar në vendin e tij për skema mashtruese. Nga këqyrja e dhjetëra kamerave të sigurisë deri në një servis të marrë me qira, prokurorët kanë bindjen se dyert e hapura të mjetit që po prisnin vrasësin tregojnë se atë po e prisnin dy ndihmës.
Në lidhje me ngjarjen kanë dëshmuar disa persona.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dëshminë e personit që po pinte kafe me viktimën në momentin e ngjarjes.
“Është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi I.B, i cili ka deklaruar se: Është me profesion elektroauto. Ka një ambjent të tijin në lagjjen “Ahmet Haxhija”, Shkodër, pikërisht përballë shkollës “Salo Halili” edhe punon në makina të ndryshme, lidhur me probleme e difekte elektrike. Thekson se rreth orës 11.00 ka filluar punën. Elisin e ka patur shok fëmijërie, sepse janë rritur bashkë në lagjjen “Ahmet Haxhija”.
Dikur e ka patur ndihmës atë, edhe të vëllanë. Tregon se rreth orës 12.00 Elisi i ka vajtur me makinën e tij, tip “BMV”, ngjyrë e zezë, targa AB 708 ES. Elisi i ka thënë që i është prishur makina korrëse e barit dhe i ka kërkuar të shkonin bashkë te shtëpia e tij për t’a parë se çfarë problemi kishte dhe për t’a rregulluar.
Makinën e tij ja ka dhënë Elisit që prej tre a katër ditësh, sepse ai kishte shitur makinën e vet. Tregon se para se të shkonin te shtëpia janë futur në një kafene, që mesa di ai quhet “Klubi i Gjuetarit”. Ky lokal ndodhet në rrugën që lidh stadiumin me unazën perëndimore.
Pas rreth 10 minutash qëndrimi, tregon se përballë tyre, në një distancë rreth 3-4 metra, ka vënë re një person në dukje mashkull, me trup mesatar, i cili kishte një maskë covidi në fytyrë dhe një armë që i është dukur si e gjatë, në dorë. Ky person duket se hyri nga dera e jashtme e verandës së lokalit që ishin duke pirë kafe. I është afruar pa folur asnjë fjalë dhe ka qëlluar në drejtim të Elisit disa herë.
Deklaron se ai vetë është nisur për të ikur nga frika dhe në ikje e sipër është rrëzuar. Mban mend se autori i ka drejtuar armën edhe atij në afërsi. Tregon se ai vetë ka bërtitur që nuk kishte punë e lidhje me asgjë dhe më pas autori është larguar nga ambienti i lokalit dhe nuk ka mundur t’a shohë se nga cila rrugë ka lëvizur. Thekson që ai ka arritur të dallojë vetëm momentin që ka qëlluar autori.
Mesa i kujtohet në këtë moment ai vetë po përziente kafen. Ka parë një person me gjatësi rreth 175 cm i gjatë, trup mesatar, flokët nuk ka arritur t’i dallojë, në fytyrë ka patur një maskë covidi si me ngjyrë të bardhë, nuk ka arritur të fiksojë gjë tjetër lidhur me karakteristikat e tij. Në dorë autori ka patur armën, që atij i është dukur e gjatë. Elisi ka patur në përdorim një mjet “Audi Q5”, ngjyrë e zezë, me targa shqiptare.
Mesa di ai para rreth dy javësh ja ka dhënë shtetasit Valmir Kotrri duke e ndërruar me “BMV”, ngjyrë e zezë, targa AB 708 ES. Para rreth një jave Elisi i ka kërkuar që të blejë BMV-në. Shkaku sipas tij ishte se kishte mbetur pa lekë dhe donte të ikte jashtë shteti. Ndërsa deklaruesi i ka thënë që nuk donte të blinte makinë. Tregon se viktima i ka mbushur mendjen për t’a blerë me vlerë 2 milion e gjysmë lekë të vjetra dhe tre-katër ditë para ngjarjes ja ka dhënë dy milion.
Sqaron se ka patur për t’i dhënë edhe pesëqind mijë lekë. Nuk i ka shprehur asnjëherë që ka probleme apo konflikte me njeri, por në dukje dukej se vazhdimisht ishte i stresuar. Telefonin e përdorte rrallë. Deklaron se nuk mund ta njohë autorin nëse do e shihte me aq sa ka fiksuar në vendngjarje. Nuk ka konstatuar gjë të dyshimtë kur Elisi ka qenë tek servisi i tij. Tregon se lokalin e kanë frekuentuar kohët e fundit tre ose katër herë. Mesa di ai Elisi e ka frekuentuar më shumë herë vetëm. Ka dijeni se babanë nuk e ka patur. Mesa ka dëgjuar ja kanë vrarë kur kanë qenë të vegjël. Janë rritur jetim së bashku me një vëlla që e kanë quajtur Taulant, i cili mesa i kujtohet ka vdekur në një aksident para disa vitesh në Elbasan. Konflikte të tjera nuk ka patur dijeni.
Deklaruesi tregon se në Shqipëri mesa di ai nuk ka patur asnjë aktivitet. Ka qëndruar shumë vite në Belgjikë-Francë, por ka rreth 2-3 vite që është kthyer nga jashtë shteti. Nuk ka dijeni nëse ka qenë më jashtë shtetit. Nuk ka dëgjuar asnjë fjalë të autorit apo komunikim. Mban mend se përballë tyre ka qenë një i moshuar. I kujtohet të ketë patur edhe persona të tjerë në lokal, por fiks nuk mund të thotë sa kanë qenë”, theksohet në dosje.
Nëna e tij gjatë dëshmisë për vrasjen e të birit ka thënë se nuk dinte asnjë detaj në lidhje me ngjarjen dhe se ai po planifikonte të largohej jashtë vendit. Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shtetasja L.R, nëna e viktimës, ka deklaruar se: Që prej vitit 1986 jeton pa ndërprerje në qytetin e Shkodrës, bashkëshortin ia kanë vrarë në vitin 1993, një nga djemtë i ka vdekur në aksident para 12 vitesh, ndërsa Elisi ishte djali i vetëm që kishte gjallë. Tregon se djali ka jetuar jashtë shtetit dhe ka rreth 1 vit që nuk ka dalë më jashtë shtetit. Djali kryesisht zgjohej prej gjumit rreth orës 11-11.30 e rreth orës 12 dilte për të pirë kafe, të cilën e pinte kryesisht në lagje, ose tek lokal “Natyra” me shokun e tij Indritin. Djali ka dalë për kafe kryesisht në drekë, në darkë nuk ka dalë asnjëherë për të pirë kafe. Kryesisht Elisi ka jetuar në Elbasan, Korçë, ku ka qëndruar me shokët e tij. Në Elbasan ka ndenjur në një hotel në hyrje të Elbasanit, kryesisht me një shok me emrin Krist. Deklaron që dy javët e fundit djali nuk ka shkuar në Elbasan, sepse po bënte pasaportën, pasi donte të ikte jashtë. Djali kur ishte jashtë Shkodrës kryesisht flinte në hotel. Në Shkodër shoqërohej me Indrit Bekteshin dhe me çunat e lagjes. Në Elbasan kishte shoqëri tjetër, por kryesisht rrinte me Kristin. Djali nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim. Djali ka qenë tip i mbyllur nga natyra, nuk shprehej dhe nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim apo problem”.
Në pyetje është marrë edhe Xhulio Malo, i cili ka deklaruar se: Servisin “Pro Diagnostic”, i cili gjendet në fshatin Bërzhitë, Njësia Administrative Bërzhitë, Bashkia Tiranë, e menaxhon ai për llogari të një kushëririt të tij, i cili quhet Voltan Xhani, i cili ia ka marrë me qira shtetasit Arben Gjoshi. Në katin e parë është një ambient rreth 450 m2 dhe sipër saj është menduar si zyra për servisin, i cili nuk është funksional ende. Pretendon se ambienti i garazhit nuk menaxhohet nga ana e tij. Nuk ka asnjë dijeni se nga kush menaxhohet pjesa e garazhit. Tregon se ai nuk posedon asnjë çelës të garazhit dhe nuk e di nëse ambienti që ka ai në administrim ka ndonjë hyrjedalje me garazhin. Servisi “Pro Diagnostic” ka kamera sigurie dhe menaxhimin e bën ai, por mesa di janë vetëm live, nuk mbajnë regjistrime. Kanë pasur probleme me shkëputjen, por më pas është rregulluar, kurse me DVR nuk ka pasur asnjëherë probleme që kur ajo është vendosur. Nuk ka dijeni në lidhje me ekzistencën e mjeteve në garazh, poshtë servisit që menaxhon. Deklaron se ai merr një pagesë nga ana e kushëririt. Nuk e njeh shtetasin Ervin Trale dhe nuk e ka takuar ndonjëherë. Që në fillim të bisedës me shtetasin Arben Gjoshi kanë rënë dakord që kontrata të lidhej midis Voltan Xhani dhe Arben Gjoshi, por për efekt kohe është lënë pas dore. Nuk ka vënë re ndonjë lëvizje të dyshimtë.
Elis Rroshkodol i njohur dhe si Elis Shkoza, u ekzekutua me 18 plumba teksa po pinte kafe në një lokal në zonën e Zdrales në Shkodër. Autori ka qëlluar me armë automatike me silenciator, i cili e ka lënë të vdekur në vend 36-vjeçarin. Roshkodoli në të shkuarën ka qenë i skeduar, dënuar dhe shpallur në kërkim për disa ngjarje kriminale të ndodhura brenda dhe jashtë vendit. Konfliktet e viktimës kanë nisur që kur ka qenë në një moshë të re ende pa i bërë 20 vjeç deri kur u qëllua për vdekje në atentatin mafioz të një dite më parë. Së fundi është zbuluar edhe një ngjarje për të cilën 36-vjeçari nuk është përmendur më herët. Bëhet fjalë për një plagosje të ndodhur në vitin 2010, ku Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu. Ky i fundit rezulton gjithashtu i dënuar dhe arrestuar për disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin verior.
Po ashtu në vitin 2014, Rroshkodoli dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shkodran me mbiemrin Shema dhe një vit më parë është dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit. Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima./ZËRI