
ITALI- Tani ka tre persona të dyshuar për vrasjen e Rivaldo Rusit. Sipas mediave italiane, përveç Aurelio Valiantes, 60-vjeçarit që qëlloi dhe vrau shqiptarin Rivaldo Rusi, 25 vjeç; edhe një i afërm i sipërmarrësit është gjithashtu nën hetim. Hetuesit kanë arritur që të zbulojnë se i afërmi i biznesmenit, ende i paidentifikuar me emër, e ndihmoi atë që të transportonte trupin e Rusit në një fuçi vere dhe ta fshihte në fshat. I treti person që po hetohet është anëtari i tretë i bandës së grabitsëve që ishte futur në banesën e 60-vjeçarit. Por ende nuk ka asnjë shenjë të tij, edhe pse hetimet vazhdojnë.
Ndërkohë, të martën, mjeku ligjor Francesco Lombardo do të ngarkohet me detyrën e kryerjes së autopsisë mbi trupin e të riut, i cili mbahet në morgun e spitalit "San Luca" në Vallo della Lucania. Autopsia do të përcaktojë dinamikën e të shtënave: në fakt do të jetë thelbësore të zbulohet nëse të shtënat që vranë Rusin janë nga përpara në gjoks, apo në shpinë. Kështu mund të kuptohet nëse është qëlluar për vetëmbrojtje apo jo. Por, po ashtu, pritet edhe dëshmia e mikut të të ndjerit, i cili gjithashtu ka mbetur i plagosur nga të shtënat që lëshoi drejt tyre 60-vjeçari italian. I riu tjetër ndodhet ende në spital.
Megjithatë ka zhvillime edhe në terren. Në orët e fundit është raportuar se dikush ka hyrë në banesën ku ndodhi e gjithë ngjarja, ndoshta për të kontrolluar nëse Aurelio Valiante dhe familja e tij ishin ende atje... ndoshta për t'u hakmarrë. Ngjarja vjen pas episodit kur 30 shqiptarë ishin mbledhur para shtëpisë për t'u hakmarrë. Ndaj 60-vjeçari dhe familja e tij janë vendosur në një vend tjetër të mbrojtur, për të shmangur vetëgjyqësinë.
E gjitha ndodhi kur një mbrëmje, tre persona se hynë me forcë në shtëpinë e biznesmenit, i cili hapi zjarri. Valiante qëlloi disa herë me armë zjarri, duke vrarë një nga grabitësit, 26-vjeçarin shqiptar Rivaldo Rusi. Trupi i të riut u gjet më vonë në San Severino di Centola, i fshehur brenda një fuçie vere.
Valiante është aktualisht nën hetim për vrasje dhe fshehje të një kufome. Pavarësisht kësaj, ndaj tij nuk janë urdhëruar masa paraprake sigurie. I mbrojtur nga avokati Antonello Natale, italiani ka zgjedhur të bashkëpunojë me gjyqësorin, duke dhënë një rrëfim të detajuar gjatë një marrjeje në pyetje që zgjati mbi 11 orë, në prani të kryeprokurorit të Vallo della Lucania, Francesco Rotondo. Ishte ai që tregoi me saktësi vendin ku u gjet trupi. Sipërmarrësi, nëpërmjet avokatit të tij, tha se ishte i shkatërruar nga ajo që kishte shkaktuar./ZËRI