Aktualitet

Nuk kreu detyrën për të ndaluar zaptimin e hapësirës publike, procedohet edhe drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë

Për të njëjtin rast, në procedim penal, në gjendje të lirë po hetohet edhe Emiljano Ismailaj.

k.m.
Nuk kreu detyrën për të ndaluar zaptimin e hapësirës
Pamje nga video

VLORË- Policia e Shtetit ka nisur hetimet për një 44-vjeçar, i cili kishte zaptuar një hapësirë publike, në qytetin e Vlorës. 44-vjeçari e kishte kthyer hapësirën në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, lagja “10 Korriku, në parkim privat, duke vendosur trarë elektrikë dhe tabela. Por nuk është i vetmi nën hetim. Për të njëjtin rast, në procedim penal, në gjendje të lirë po hetohet edhe Emiljano Ismailaj. Ky i fundit ka postin e drejtorit të Policisë Bashkiake Vlorë, i cili është i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

NJOFTIMI I PLOTË:


DVP Vlorë

Lirohet hapësira publike e zënë në mënyrë të paligjshme, në Vlorë. Procedohet penalisht një shtetas që kishte zaptuar këtë hapësirë, duke e kthyer në parkim privat, në mënyrë të kundërligjshme. Procedohet penalisht edhe drejtori i Policisë Bashkiake Vlorë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, konkretisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare si dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në mbështetje dhe të Policisë Bashkiake, kanë kryer kontrolle në terren me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe të shfrytëzuara si parkime private kundrejt pagesës.

Gjatë kontrolleve, në zonën e quajtur ish “Shkolla e Marinës”, në lagjen “10 Korriku”, u evidentua një rast ku në hapësirën publike ishin vendosur tabela dhe trarë elektrikë për ta shfrytëzuar si parkim privat me qëllim përfitimin e të ardhurave. Në përfundim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin R. F. (M)., 44 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Në mbështetje të Policisë Bashkiake, automjetet e parkuara në këto hapësira u tërhoqën me karrotrec, me qëllim lirimin e hapësirës publike.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin E. I., 30 vjeç, me detyrë drejtor i Policisë Bashkiake Vlorë, i cili dyshohet se nuk ka kryer detyrën për të ndaluar këtë rast të paligjshmërisë. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë mbetet e angazhuar për garantimin e hapësirave publike dhe nuk do të tolerojë asnjë rast shfrytëzimi të tyre në mënyrë të paligjshme. Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të tillë në numrin 112./ZËRI

Poll

MOS HUMB