
PRISHTINË- Një alarm për bombë ka zbrazuar Kuvendin e Kosovës! Një mesazh kërcënues në gjuhën angleze është dërguar në adresën e një punonjëseje në zyrën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca. Përmbajtja e mesazhit paralajmëronte se një bombë ishte vendosur brenda ndërtesës së Kuvendit dhe se do të shpërthente pas 10 minutash. Kështu menjëherë pasi është vendosur në dijeni të mesazhit, ajo menjëherë ka njoftuar Sigurimin e Kuvendit që kanë nxjerrë jashtë deputetët. Më pas, në godinë kanë mbërritur efektivët e Policisë së Kosovës që kanë rrethuar të gjithë perimetrin.
Përveç deputetëve, nga godina janë evakuuar të gjithë zyrtarët dhe stafi i Kuvendit. Ndërkohë pasi ka dalë nga salla, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar para gazetarëve situatën krijuar në Kuvend. Më shumë detaje ka dhënë Glauk Konjufca.
“Kërcënimi ka qenë i qartë, Policia po mendon ashtu, të gjitha grupet parlamentare po i binden këtij vendimi. Me sa di unë kërcënimi është bërë përmes telefonatës, tjerat nuk i kemi të qarta,”-tha ai para mediave, duke dhënë një version tjetër për mënyrën e marrjes së informacionit.
Arben Loshi, sekretar i Kuvendit ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka vendosur që seanca të mbahet në orën 20:00.
“Seanca konstituive e përcaktuar sot për në ora 11:00 pas alarmit për bombë i vazhdon punimet sot në ora 20:00 sipas njoftimit të kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari…Policia, njësitet e veçanta antibombë është duke i bërë veprimet e saj policore. Ne mbetemi që të qëndrojmë jashtë ndërtesës së kuvendit, së paku 50 metra largësi sipas rekomandimeve kryesore. Njoftimin neve si administratë na ka dhënë polica për t’i liruar hapësirat. Ndërsa njoftimet e tjera i ka Policia,”- tha ai.
Por pas kontrolleve, duke folur për gazetarë pranë ndërtesës së Kuvendit, prokurori Zejnullah Gashi tha se kërcënimi ishte i rremë duke shtuar se telefonata u bë nga një burrë përmes telefonit.
“Kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket për rezultatet në vendin e ngjarjes. Kërcënimi u bë nga një person anonim, me zë mashkulli në gjuhën angleze dhe me një theks që ne mendojmë se është nga një shtet jomiqësor.”
Sot, Kuvendi i Kosovës ishte mbledhur për të mbajtur seancën e 42-të për konstituimin e Kuvendit, betimit të deputetëve dhe zgjedhjen e kreut të institucionit./ZËRI