Aktualitet

15-20 mijë euro pasaporta! Zbulohet laboratori i dokumentave false në Tiranë

Të dy ishin vendosur në "arrest shtëpie”, masë e vendosur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

k.m.
15-20 mijë euro pasaporta! Zbulohet laboratori i dokumentave false në
Pamje nga aksioni

TIRANË- Zbulohet një laborator dokumentash në Tiranë. Pas një hetimi 7-mujor në kuadër të operacionit "Identiteti" janë vendosur në pranga babë e bir, Ylli dhe Pjerin Brahimaj. Të dy ishin vendosur në "arrest shtëpie”, masë e vendosur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Prej qershorit 2024, Ylli Brahimaj ishte në masën arrest shtëpie nën akuzën për trafik emigrantësh, të cilëve u siguronin edhe dokumente të falsifikuara. Megjithatë kjo nuk e kishte ndaluar për të vijuar aktivitetin e paligjshëm nga shtëpia. Por kësaj here bashkë me të birin. Bashkë me Brahimajt është proceduar penalisht 62-vjeçarin Sh. L., i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve. Laboratori ishte ngritur në një banesë, në një ambient të fshehtë ku edhe falsifikoheshin dokumentat dhe pasaportat që më pas shiteshin për 15-20 mijë euro. Sipas Policisë, këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA. Dera e këtij ambienti ishte kamufluar mjeshtërisht pas një rafti rrobash.

NJOFTIMI I POLICISË:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Finalizohet nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Identiteti”. Zbulohet një ambient i përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve të ndryshm me qëllim dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Sekuestrohen dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe sende të tjera të kundërligjshme që shërbenin për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale. Vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir), njëri prej tyre aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, si pjesëtar i një grupi kriminal për të njëjtën veprimtari. Procedohet penalisht bashkëpunëtori i tyre.

Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një hetimi 7-mujor të ndjekur me metoda speciale, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Identiteti”. Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit Y. B., 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, dhënë nga SPAK, dhe P. B., 45 vjeç (babë e bir), si dhe u procedua penalisht shtetasi Sh. L., 62 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor i dy të arrestuarve. Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë zbuluan një ambient të fshehtë, të kthyer në laborator për prodhimin dhe falsifikimin e dokumenteve të ndryshme dhe pasaportave.

Nga hetimet ka rezultuar se prodhimi i një pasaporte të falsifikuar me shtetësi të huaj arrinte në vlerat nga 15 000 deri në 20 000 euro. Këto pasaporta dyshohet se përdoreshin për kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian ose SHBA. Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB