DURRËS- Një aksident tragjik është shënuar në orët e para të mëngjesit në Manzë të Durrësit, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Viktimat janë identifikuar si Kleo Vrioni, 25 vjeç, drejtuesi i automjetit, Sara Brugentelli, 26 vjeçe, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç, të cilët ndodheshin në automjet në momentin e aksidentit.
View this post on Instagram
Nga të dhënat paraprake, automjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një bordurë betoni. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar vdekjen e tre personave.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e personave të bllokuar në automjet.
Dy personat e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa trupat e tre viktimave janë dërguar në morg.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.
Njfoftimi i policisë:
Rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manzë, shtetasi K. V., 24 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. V., 25 vjeç, dhe pasagjerët, shtetasit S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç, kanë humbur jetën.
Pasagjerët e tjerë, shtetasit R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, janë dëmtuar dhe janë nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore. K. D, ndodhet në gjëndje të rëndë shëndetësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit./ZËRI