PEQIN- Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin kombëtar Peqin-Elbasan ku një 70-vjeçare ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Përplasja mes dy automjeteve është regjistruar në vendin e quajtur 'Pazari' në segmentin Pajovë-Bishqem. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar dy drejtuesit e mjeteve, ndërsa pasagjerja Drita Xhaja 70 vjeçe nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe efektivët e Policisë, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e aksidentit.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar rrethanat e përplasjes dhe shkakun që çoi në aksidentin me pasojë vdekjen e 70-vjeçares.
Njoftimi i policisë
Rreth orës 19:20, në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, automjeti tip “Volksvagen”, me drejtues shtetasin A. B., 47 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Mazda”, me drejtues shtetasin R. Xh., rreth 70 vjeç. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në spital shtetasja D. Xh., rreth 70 vjeçe, pasagjere në automjetin me drejtues shtetasin R. Xh.
Gjithashtu, janë dëmtuar drejtuesit e të dy mjeteve, si dhe pasagjerja në automjetin me drejtues shtetasin A. B., të cilët ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./ZËRI