Aktualitet

Arrestohet administratori i inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja, SPAK: Mori 4 mln lekë për mos kryerjen e detyrës që kërkon ligji

SPAK përmes një njoftimi zyrtar, njofton se nga veprimet hetimore dyshohet se Kaja ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

F.I
Arrestohet administratori i inceneratorit të Elbasanit, Leli Kaja, SPAK:
Leli Kaja

ELBASAN-SPAK dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë ndërmarrë një aksion në qytetin e Elbasanit, ku është arrestuar administratori i inceneratorit të Elbasanit (“ECO-ELB” sh.a.), Leli Kaja. Ky i fundit është arrestuar në flagrancë, pas dyshimeve për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

SPAK përmes një njoftimi zyrtar, njofton se nga veprimet hetimore dyshohet se Kaja ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a. Gjatë arrestimit, Kajës i është gjetur dhe sekuestruar shuma prej 400 mijë lekësh.

Njoftimi i SPAK:

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorit të çështjes, sot, më 5.10.2026 arrestuan në flagrancë shtetasin L.K., administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259, paragrafi 2, i Kodit Penal.

Arrestimi u krye në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më datë 1.10.2026 nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e referimit të BKH-së. Gjatë hetimit u përdorën metoda speciale të hetimit dhe veprime të simuluara.

Nga veprimet hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se shtetasi L.K. ka kërkuar dhe marrë nga administratori i një operatori ekonomik shumën prej 400.000 (katërqind mijë) lekësh, në formën e përfitimit të paligjshëm, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkon ligji si administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit L.K. iu gjet dhe iu sekuestrua shuma e sipërpërmendur.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Poll

MOS HUMB