Aktualitet

Aksident fatal në Lushnjë! “Benz”-i përplaset me bordurën dhe kthehet përmbys, humb jetën 43-vjeçari (EMRI)

Mësohet se 43-vjeçari ka ndërruar jetë pas përplasjes së mjetit të tij në rrethrrotullimin e “Plastmasit”.

zh.ll
Aksident fatal në Lushnjë! “Benz”-i përplaset me
pamje nga aksidenti

LUSHNJË- Një aksident i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Lushnje, ku 43-vjeçari Ernis Xhumari ka humbur jetën. Mësohet se 43-vjeçari ka ndërruar jetë pas përplasjes së mjetit të tij në rrethrrotullimin e “Plastmasit”.

Sipas njoftimit të policisë, 43-vjeçari po qarkullonte me shpejtësi duke kryer manovra të rrezikshme dhe është pikasur nga punojësit e sallës operative nëpërmjet kamerave të sigurisë. Më pas, ai ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, ndërsa sapo ka parë patrullën është larguar me shpejtësi të madhe.

Sakaq, dyshohet se për shkak të shpejtësisë dhe humbjes së kontrollit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës dhe ka përfunduar disa dhjetëra metra më larg e për pasojë drejtuesi i mjetit ka humbur jetën në vendngjarje.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit tragjik.

Njoftimi i Policisë:

Lushnjë / Informacion paraprak

Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë.

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit./ZËRI

Poll

MOS HUMB