TIRANË- Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, ka mbërritur në fshatin Çepan të Skraparit, aty ku edhe do të mbahet ceremonia e varrimit të babait të tij, Rexhep Meta, që ndërroi jetë ditën e djeshme.
Meta ka dalë përkohësisht nga paraburgimi mëngjesin e kësaj të marte për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Rexhep Meta. Burime bëjnë me dije se Meta është larguar nga institucioni i paraburgimit “313” në orët e para të mëngjesit, nën shoqërimin e forcave të Policisë së Burgjeve dhe me masa të shtuara sigurie.
Ish-presidenti do të marrë pjesë në ceremoninë mortore të të atit, e cila zhvillohet në vendlindjen e familjes Meta, në Çepan. Varrimi do të mbahet në orën 12:00. Leja parashikon që ish-presidenti mund të qëndrojë edhe në drekën që shtrohet pas ceremonisë mortore.
Pas pjesëmarrjes në ceremoninë mortore të të atit, Meta do të rikthehet sërish në burg mbrëmjen e kësaj të marte. Megjithatë, sipas burimeve, autoritetet kanë miratuar një leje edhe për ditën e nesërme, për t’i mundësuar pritjen e ngushëllimëve.
Mësohet se homazhet dhe pritjet e ngushëllimit do të zhvillohen në ambientet e Rogner Hotel Tirana, ku pritet të marrin pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe figura të njohura të jetës publike.
Pritjet do të zhvillohen gjatë gjithë ditës, ndërsa pas përfundimit të afatit të lejes së dhënë, Meta do të rikthehet në burg, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi./ZËRI