FIER- Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve të konstatuara në kontrollin e një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT.
Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm. Sipas këtij institucioni inspektori në Durrës nuk kishte verifikuar plotësisht dokumentacionin, stabilimentin eksportues dhe vërtetësinë e certifikatës, ndërsa tre inspektorët në Fier nuk kishin evidentuar të gjitha shkeljet dhe kishin vendosur një masë administrative joproporcionale.
Përveç shkarkimeve është urdhëruar edhe verifikimi i procedurave të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe kontrollin e ngarkesës, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive të strukturave të përfshira./ZËRI