GJIROKASTËR- 29 vjeçari Kejvin Kardhashi është arrestuar, ndërsa një 22-vjeçari Orgito Çako është vënë nën hetim, pasi u kapën me doza kanabisi në afërsi të dy shkollave në Gjirokastër.
Policia bën me dije se dy të rinjtë u identifikuan dhe u kapën në flagrancë gjatë operacionit të koduar 'Final Sale' të zhvilluar në kuadër të planit operacional 'Shkolla të Pastra' që synon parandalimin e shitjes së lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.
Gjatë ndërhyrjes, uniformat blu sekuestruan lëndën narkotike të ndarë në doza, një automjet dhe dy telefona celularë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Finalizohet operacioni i koduar “Final Sale”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza, në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave.
Kapen në flagrancë me doza kanabisi, pranë dy shkollave në Gjirokastër, arrestohet 1 shtetas dhe procedohet penalisht 1 tjetër.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike e ndarë në doza, 1 automjet dhe 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në zbatim të planit operacional “Shkolla të Pastra” dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Final Sale”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Gjatë operacionit, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi K. K., 29 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasi O. Ç., 22 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.
Këta shtetas u kapën pranë dy shkollave në qytetin e Gjirokastrës, me nga një sasi të vogël kanabisi të ndarë në doza.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme./ZËR