Aktualitet

13 vite pritje! GTA 6 po 'çmend' botën, por shqiptari Arion Kurtaj e hakoi nga dhoma e hotelit

Arion Kurtaj, sot 21 vjeç ka pranuar të gjitha akuzat për hakimin e kompanisë Rockstar Games, e njohur për prodhimin e videolojës së shumëpritur “Grand Theft Auto 6” (GTA 6) më 17 nëntor, dy ditë para publikimit të lojës.

F.I
13 vite pritje! GTA 6 po 'çmend' botën, por shqiptari
Arion Kurtaj

TIRANË-Pas 13 vitesh pritjeje dhe me një kosto prodhimi që vlerësohet në 1 miliard dollarë ose më shumë, “Grand Theft Auto VI” (GTA 6) doli sot në mbarë botën. Në Britani, mijëra fansa po e kalojnë ditën e publikimit duke luajtur, pasi kanë marrë pushim nga puna. Në SHBA dhe Australi, platformat e menaxhimit të stafit raportojnë më shumë kërkesa për pushim dhe rezervime lejesh për këtë ditë. Por teksa loja po thyen rekorde, një shqiptar në moshën 18-vjeçare vodhi 90 video të GTA 6 duke përdorur një Fire Stick.

Arion Kurtaj, sot 21 vjeç ka pranuar të gjitha akuzat për hakimin e kompanisë Rockstar Games, e njohur për prodhimin e videolojës së shumëpritur “Grand Theft Auto 6” (GTA 6) më 17 nëntor, dy ditë para publikimit të lojës. Në shtator të vitit 2022, Kurtaj ndodhej në liri me kusht për shkak të sulmeve të mëhershme kibernetike, ndërsa autoritetet ia kishin konfiskuar kompjuterin.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi të kryente një tjetër sulm. Sipas prokurorisë britanike, nga një dhomë hoteli ai arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick, e cila lidhet me televizorin për të parë përmbajtje online, si dhe një tastierë dhe maus me Bluetooth.

Përmes këtij sulmi, ai vodhi rreth 90 klipe nga versioni ende i papërfunduar i GTA 6, me një kohëzgjatje të përgjithshme prej afro një ore. Më pas, e kërcënoi kompaninë se do t’i publikonte materialet nëse nuk paguhej. Klipet përfunduan në një forum të fansave të lojës dhe u shpërndanë në mbarë botën, shumë kohë përpara se Rockstar Games ta prezantonte zyrtarisht GTA 6.

Sipas kompanisë, incidenti i shkaktoi dëme prej pesë milionë dollarësh, ndërsa stafi u detyrua të shpenzonte mijëra orë pune për t’u marrë me pasojat e sulmit. Në 2023, Gjykata britanike e dënoi shqiptarin me qëndrim të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak se mjekët e kishin vlerësuar të paaftë për t'u gjykuar. Pas një vlerësimi të ri, ai u transferua në burg, pasi u konsiderua i aftë për të përballuar procesin gjyqësor.

Loja ka marrë vlerësime thuajse unanimisht pozitive nga kritikët, duke arritur një mesatare prej 99 pikësh nga 100 në Metacritic, bazuar në 150 recensione, dhe duke thyer rekordin e mbajtur që prej vitit 1998 nga “The Legend of Zelda: Ocarina of Time”. GTA 6 zhvillohet në shtetin imagjinar amerikan Leonida dhe ndjek historinë e dy protagonistëve, Lucia dhe Jason, të cilët përfshihen në botën e krimit pas një grabitjeje që shkon keq.

MOS HUMB