
SHBA- Një adoleshent, anëtar i grupit të hack-erimit Lapsus$ është dënuar me burgim të përjetshëm në një spital psikiatrik. Hakeri 18-vjeçar shqiptar, Arion Kurtaj është shpallur përgjegjës për vjedhjen dhe nxjerrjen e klipeve të Grand Theft Auto 6. Ai akuzohet për hackerimin e Uber, kompanisë Revolut dhe për shantazhimin e krijuesve të video-lojës “Grand Theft Auto”, të cilëve u shkaktoi mbi 6 milionë euro dëm.
I arrestuar në vitin 2022, ai hakoi Rockstar Games, Uber dhe Nvidia, duke u deklaruar fillimisht i pafajshëm, ku përgjegjësi kishe edhe një adoleshent 17-vjeçar, emri i të cilit ende nuk është publikuar.
Ai shënjestroi Revolut, një kompani globale neobanke dhe teknologjie financiare, duke fituar akses në informacione për rreth 5000 klientë të tyre dhe më pas të njëjtën gjë bëri me Uber, duke i shkaktuar kompanisë rreth 3 milionë dollarë dëme.
Janë 12 akuza ndaj Kurtajt, duke përfshirë kërcënime, mashtrim, dhe keqpërdorim kompjuterik sipas ligjit britanik. Por për shkak të autizmit akut, ai u konsiderua i papërshtatshëm për gjykim, por një juri më vonë e bëri atë përgjegjës për hakimet./ZËRI