Aktualitet

Në 2020 vrau shqiptarin në Selanik/ Arrestohet Romarjo Tahiri, pritet ekstradimi në Shqipëri

26-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen me thikë të shtetasit shqiptar Spartak Dervishi

F.I

Në 2020 vrau shqiptarin në Selanik/ Arrestohet Romarjo Tahiri, pritet

foto ilustruese

TIRANË-Romarjo Tahiri, 26 vjeç është arrestuar në Greqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasjen me thikë të shtetasit shqiptar Spartak Dervishi, në Selanik, në vitin 2020. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit “The Wanted” dhe pritet ekstradimi drejt Shqipërisë. 

Tahiri dyshohet se ka kryer krimin në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, ndërsa në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar 26-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Vijon intensivisht bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”.

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, i dyshuar për vrasjen e një shtetasi shqiptar në Selanik, në vitin 2020, kapet në Greqi 26-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional ndërmjet homologëve të Drejtorisë së Interpolit dhe Interpol Athinës, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u arrestua provizorisht në Greqi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar, R. T., 26 vjeç, i lindur në Korçë.

Në vitin 2021, Gjykata e Korçës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se në vitin 2020, në Selanik, shtetasi R. T., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, kanë vrarë shtetasin shqiptar S. D., të cilin fillimisht e kanë dhunuar dhe më pas e kanë goditur me mjete prerëse.

Familjarët e viktimës kanë bërë kallëzim në Korçë për ngjarjen e ndodhur në Selanik dhe veprimet janë koordinuar me autoritetet greke.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 26-vjeçarit në Shqipëri.

MOS HUMB