TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për hetimin lidhur me zhdukjen e verës së sekuestruar në kuadër të procedimeve ndaj Ergys Agasit. Dosja tashmë i ka kaluar SPAK-ut, e cila pritet ta bashkojë me hetimet për abuzimet me tenderat e AKSHI-t. Çështja ka të bëjë me një kantinë vere, ku ndodhej koleksioni shumëvjeçar, i cili u zbulua nga agjentët e BKH-së në vilën e Agasit, por shishet e verës të lëna në ruajtje për t'u sekuestruar nuk u gjetën më. Bëhet fjalë për 600 shishe verë të markave të shtrenjta, të cilat 'u zhdukën' brenda 24 orëve nga ambientet e vilës në periferi të Tiranës ku ndodheshin të depozituara. Eno Agasi, djali i xhaxhait të Ergys Agasit, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se ka larguar verën dhe serverin e kamerave gjatë natës. Dëmi ekonomik llogaritet mbi 1.3 milionë euro, ndërsa SPAK do të verifikojë nëse ka pasur shpërdorim detyre ose përfshirje të organizuar në zhdukjen e mallit.
/ZËRI