TIRANË- Një investigim i Deutsche Welle ka zbuluar dhjetëra kanale me 70 mijë burra anëtarë në platformën “Telegram”, të cilët shpërndajnë këshilla dhe taktika për të sulmuar seksualisht njerëz të tjerë. Gazetarët e "DW" që u “infiltruan” në kanale, zbuluan se mijëra njerëz nga e gjithë bota shkëmbejnë informacione se si të përdhunojnë njerëzit dhe inkurajonin njëri-tjetrin të kryejnë këto sulme, duke përfshirë ndarjen e fotove dhe videove të krimeve të ngjashme që ata vetë i kanë kryer në shumicën e rasteve. Ata kanë inkurajuar njëri-tjetrin të sulmojnë motrat, nënat, të dashurat ose gratë e tyre. Autoritetet gjermane ende nuk kanë bërë asnjë ndërhyrje në lidhje me këtë skandal, pasi sulmi seksual është i dënueshëm në Gjermani, ndërsa të flasësh për të, jo. Gazetarët zbuluan se anëtarët e grupeve e përdornin gjithashtu platformën për të shitur drogë që mund të përdorej për të bërë të pavetëdijshme viktimat. Bëhet fjalë për substanca që përbëhen nga qetësues për kafshët dhe një përbërje që parandalonte të vjellat. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar më shumë të dhëna nga kjo veprimtari. ZËRI i ka ndjekur njëri pas tjetrit skandalet e regjistruara në Telegram, pas krijimit të grupeve që synonin degradimin e femrave. Gjatë një investigimi, ZËRI zbuloi disa grupe ku anëtarët ofendonin, ndanin eksperiencat e tyre dhe informacione rreth vajzave, të cilat mund të jenë të mitura, adoleshente, apo edhe në moshë madhore. Një nga grupet më të përhapur ishte “Albkings”, ku ishin mbledhur si anëtarë 55 mijë shqiptarë që bënin po të njëjtën gjë si në rastin e hetuar nga "Deutche Welle", ndanin video dhe foto intime, detaje rreth vajzave, informacione dhe degradonin imazhin e tyre. Këto bëheshin kryesisht nga ish-të dashur të vajzave që pas ndarjes preferojnë të mos kenë as respektin minimal për to dhe u publikonin çdo të dhënë private, vajza që kanë për shënjestër një tjetër vajzë, fenomen i njohur ndryshe si ‘slutshaming’, si dhe djem të frustruar e të inatosur nga fakti që nuk kanë arritur të kijojnë afrimitet apo që janë refuzuar nga vajzat në fjalë. Gjithashtu, në këtë grup, tashmë të mbyllur, nuk mungonin as videot ku kryheshin marrëdhëniet me kafshë apo materialet e dërguara nga vetë vajzat. Një video intime që një vajzë i dërgon partnerit të saj përfundon në këto kanale, pas përfundimit të marrëdhënies. Gjithashtu as të miturit nuk mbeteshin të paprekur, pasi në këto grupe janë publikuar e shpërndarë edhe video të fëmijëve të moshës 8-vjeçare.
Fenomeni i këtyre grupeve në Telegram është i përhapur kudo në botë, por deri më tani vetë drejtuesi i platformës, Pavel Durov, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i parandaluar, edhe pse vetë është duke u përballur me drejtësinë franceze, për shkak të politikave të lejimit të shpërndarjes së materialeve të dëmshme./ZËRI