TIRANË- Jetmir Pepa, një personazh mjaft problematik dhe i njohur për autoritetet, që terrorizoi të pranishmit në një ambient ku u zhvillua eventi për natën e ndërrimit të viteve, pasi qëlloi me armë zjarri, është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, nga kontrolli dhe nga kqyrja e vendit ku ka ndodhur incidenti është gjetur një gëzhojë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e ndërrimit të viteve tek Parku Olimpik i Tiranës, teksa në skenë performonte reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi.
ZËRI ka mësuar sherri kishte nisur pasi Jetmir Pepa, i njohur ndryshe dhe si Mir Pepa ndodhej në zonën VIP të klubit të natës dhe kishte hedhur një cigare të pafikur në një tavolinë ku ishin një grup djemsh, të cilët ende nuk janë të identifikuar nga kamerat e sigurisë. Të indinjuar nga gjesti, grupi i djemve fillimisht është përplasur verbalisht me Pepën. Më pas, përplasja ka vijuar me gota dhe në një moment, Mir Pepa nxorri armën e zjarrit dhe qëlloi në ajër duke shkaktuar panik tek të gjithë të pranishmit. Në videon e publikuar dëgjohen dy të shtëna me armë zjarri, që pasohet nga largimi i Stresit nga skena, ndërsa këngëtarja tjetër që duhet të performonte atë natë, Dafina Zeqiri, nuk doli fare në skenë. Mir Pepa njihet edhe si biznesmen ndërtimi në Tiranë e Shqipëri, por asnjëherë nuk ka dalë në skenë me emrin e tij. Ai është përfolur për lidhje me shumë vajza të njohura të showbizit shqiptar, njëra prej tyre dhe motra e Oriola Marashit. Verën e kaluar u bë protagonist pasi Mariela Berisha, nëna e djalit të tij, dhunoi të dashurën e tij, Klea Prenga, në bashkëpunim me të motrën, Antonela Berisha.