Video

Veliaj pyetet për më shumë se pesë orë në SPAK

Pas daljes nga SPAK, Veliaj nuk dha asnjë koment për mediat dhe tha se do të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

F.m
Veliaj pyetet për më shumë se pesë orë në SPAK
kryebashkiaku Erion Veliaj

TIRANË- Për më shumë se pesë orë me radhë, kryebashkiaku Erion Veliaj është marrë në pyetje nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Veliaj është paraqitur në orën 09:00 dhe ka dalë prej aty pas orës 14:00. Jashtë SPAK është pritur nga disa qytetarë të cilët mbanin pankarta në duar me mbishkrime si: ‘hajdut’, ‘i korruptuar’, 'mashtrusi 99-sh', 'të zunë hakat e teatrit’ si dhe ‘të zunë hakat e Kombinatit'.
Pas daljes nga SPAK, Veliaj nuk dha asnjë koment për mediat dhe tha se do të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, vëllai i tij, Arbër Veliaj dhe nëna e tij, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës.
Nga ana tjetër, bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, u paraqit në SPAK mbrëmjen e të hënës, më 23 dhjetor dhe u mor në pyetje për rreth 3 orë.

Më 6 dhjetor, teksa kryebashkiaku ndodhej për një vizitë zyrtare 2 ditore në Hamburg, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqitën në banesën e Veliajt për të sekuestruar celularin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Më pas, së bashku me vetë Xoxën, hetuesit u paraqitën dhe në galerinë e saj, “Harabel”, për të ushtruar kontroll. Pas interesit të mediave, ka pasur një sqarim nga SPAK lidhur me atë që po ndodh me hetimet kundrejt familjes së kryebashkiakut dhe Prokuroria e Posaçme e ka konfirmuar nisjen e një hetimi, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Poll

MOS HUMB