TIRANË- Benard Sinomati, vëllai i Sokol Sinomatit, i njohur si “buzëderri” ka marrë një mesazh pasi një sasi tritoli ju shpërthye në ballkonin e banesës ku jetonte bashkë me të dashurën e tij, Elena Arza. Mbrëmjen e 21 dhjetorit, persona ende të paidentifikuar lëshuan një sasi lënde shpërthyese me dron, të cilën e shpërthyen në momentin që Sinomati dhe partnerja e tij ndodheshin në banesën, në katin e nëntë të një pallati në rrugën “Sadik Petrela”. Dyshja janë larguar menjëherë pas shpërthimit dhe ende nuk janë gjetur.
Në dëshminë para hetuesve, pronari i banesës ka pohuar se apartamentin ia kishte dhënë më qira çiftit në fjalë, në fund të muajit korrik dhe se ai vetë nuk kishte asnjë konflikt. Shënjestër dyshohet të ketë qenë Bernard Sinomati, pasi ai ka qenë objekt i atentateve të ndodhura disa herë në qytetin e Vlorës, dhe siç duket rivalët e kanë gjurmuar edhe në Tiranë.
Bernard Sinomati është arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje, por edhe i dënuar në Belgjikë për trafik droge. Emri i tij u rishfaq në vitin 2022, kur i vendosën tritol mjetit të tij që ishte parkuar pranë një poliklinike të qytetit të Vlorës. Gati një vit më parë, Sinomatit iu vra nipi, Gëzim Sinomati, i cili ishte edhe djali i Sokol Sinomatit, që është bërë i njohur kur iu bashkua grupit të Gazment Brakës, të njohur gjerësisht si “Gaxhai”, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm.
Në vitin 2000, në moshën 27-vjeçare, Sokol Sinomati tronditi qytetin e Vlorës, duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj Sokol Nuhos. Më 26 qershor të vitit 2002, Armando Sulejmani, i njohur si Çipuri dhe Sokol Sinomati i bënë pritë Elton Tatos dhe Robert Borakut. Sinomati u vendos në burgun e Peqinit nga ku u arratis në vitin 2017. Ai mori leje për të dalë disa ditë nga burgu, dhe më pas në rrethana që nuk sqarohen as sot e kësaj dite, u largua jashtë Shqipërie bashkë me të vëllanë Bernard Sinomati e të birin që ishte adoleshent në atë kohë, Gëzim Sinomati. Në fund të vitit 2022, ai u ekstradua në Tiranë, për ngjarjen e regjistruar në vitin 2002 në Skelë, ku i vrarë mbeti Tato. Këtë vit e përfundoi dënimin, por Sinomati u ekstradua në Itali për të përfunduar një tjetër dënim që kishte marrë në shtetin fqinj. Ndërkohë që pas të birit, duket se në shënjestër të kundërshtarëve është edhe i vëllai i tij./ZËRI