Vrasja e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil, ka nxjerrë në pah shumë probleme dhe shkelje për mënyrën se si është ngritur dhe ka funksionuar aktiviteti i biznesit Principote. Teksa në Shqipëri, pronari Bekim Bulica është shpallur në kërkim nga autoritetet dhe denoncimet për trafik droge, pastrim parash dhe ndërtim në tokë të vjedhur e ndjekin në vendin tonë, problemet kanë kaluar kufirin. Edhe vetë emri i plazhit luksoz është i vjedhur. "Principote" Mykonos në Greqi ka reaguar lidhur me ngjarjen që tronditi opinionin publik në Shqipëri, duke theksuar se nuk kanë asnjë marrëdhënie biznesi apo ndonjë lloj tjetër marrëdhënie me beach-barin në Ksamil. Sipas tyre biznesi në Ksamil ka përdorur ilegalisht emrin e tyre, ndërsa thekson se kanë ndërmarrë veprime ligjore.
/ZËRI