Aktualitet

Arratiset nga burgu i Reçit Petrit Ndoci, nuk kthehet nga leja, LETRA që la pas: Po largohem...

Familjarët e të dënuarit kanë njoftuar autoritetet për mungesën e tij

F.I
Arratiset nga burgu i Reçit Petrit Ndoci, nuk kthehet nga leja, LETRA
FOTO ILUSTRUESE

SHKODËR-Petrit Ndoci, i dënuar për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje, është shpallur në kërkim pasi nuk është kthyer në burgun e Reçit pas përfundimit të lejes. Ndoci duhej të paraqitej në institucionin e vuajtjes së dënimit sot në orën 12:30, por nuk është kthyer në burg brenda afatit të përcaktuar.

Familjarët e të dënuarit kanë njoftuar autoritetet për mungesën e tij. Vëllai i të dënuarit ka deklaruar se Petrit Ndoci kishte lënë një letër për familjen përpara se të largohej. Në letër, sipas dëshmisë së familjarit, shkruhej: “Po largohem, ju dua shumë.”

Ndocit i kishin mbetur rreth dy vite burgim deri në përfundimin e dënimit. Pas moskthimit në kohën e përcaktuar, autoritetet kanë nisur kërkimet për gjetjen e tij, ndërsa rrethanat e largimit mbeten ende për t’u sqaruar.

Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:

Njoftim për një të dënuar që nuk është kthyer nga leja shpërblyese. Në IEVP Reç, Shkodër, i dënuari P.N., i sigurisë së zakonshme, i cili ndodhej me leje shpërblyese në fshatin Rukaj, Njësia Administrative Luf, Qarku Shkodër, nuk është paraqitur për t’u rikthyer në institucion në përfundim të afatit të lejes. I dënuari P. N. kishte përfituar leje shpërblyese nga data 14.08.2026, ora 12:30, deri më 21.08.2026, ora 12:30.

Pas konstatimit të moskthimit në kohë, strukturat e informacionit të IEVP Reç, Shkodër, kanë kryer verifikimet përkatëse. Nga kontakti me familjarët është marrë informacioni se i dënuari ishte larguar nga banesa gjatë orëve të mëngjesit. Për rastin janë njoftuar menjëherë strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ndërsa vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale dhe Policinë e Shtetit, po e ndjek me prioritet rastin dhe do të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB