
DURRËS- Nënkomisari Arben Pjeçi me një karrierë 35-vjeçare në polici, i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij në ambientet e Komisariatit të Durrësit. Pjeçi u fut në zyrën e tij dhe u vetëvra me armën e shërbimit pak minuta pasi iu komunikua shkarkimi nga detyra. Ai u gjet i pajetë nga kolegët e tij, të cilët hapën me forcë derën e zyrës pasi familja e Pjeçit ishte alarmuar për faktin që nuk po lidhej dot me të. Nënkomisari ishte dënuar nga Gjykata e Durrësit për 'plagosje të lehtë', vendim ky që kushtëzonte ndërprerjen e bashkëpunimit të tij me Policinë e Shtetit. Në vitin 2022 Pjeçi është zënë me grushta e shkelma me një komshiun e tij, Kujtim Huqi, ish-shofer në polici, për një tendë në zonën e plazhit. Të dy u dënuan me 3 muaj burg, vendim që u konvertua në 40 orë pune në komunitet.