
DURRËS- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së enjtes në Durrës. Nënkomisari Arben Pjeçi me një karrierë 35-vjeçare në polici, i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij në ambientet e Komisariatit të Durrësit. Mësohet se prej disa ditësh oficeri ishte në gjendje të rënduar psikologjike pasi ishte pezulluar për disa ditë nga detyra. Ditën e sotme atij i është komunikuar shkarkimi nga detyra që kishte, për shkak se ishte dënuar nga Gjykata e Durrësit për 'plagosje të lehtë'. Ç
Sherri me komshiun
Pezullimi nga detyra ka ardhur për faktin se Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”. Ngjarja ndodhi në vitin 2022 Pjeçi është zënë me grushta e shkelma me një komshiun e tij, Kujtim Huqi, ish-shofer në polici. Sherri filloi për një tendë në zonën e plazhit. Denoncimin në polici Pjeçi e ka bërë duke deklaruar se vetëm e ka shtyrë Huqin por nuk e ka goditur. Që të dy janë qëlluar me njëri-tjetrin dhe janë dënuar nga gjykata për plagosje të lehtë. Arben Pjeçi dhe Kujtim Huqi janë dënuar nga gjykata me 3 muaj burg, por vendimi ishte konvertuar në 40 orë pune në komunitet. Shkak për sherrin janë bërë dy gratë e tyre.
Familja e kërkonte
Informacione nga Policia e Durrësit njoftojnë se kanë qenë familjarët e Pjeçit ata të cilët kanë ngritur alarmin pasi nuk kishin kontaktuar me të. Pas kërkimeve specialisti i Policisë Kriminale Arben Pjeçi me detyrë nënkomisar u gjet i vetëvrarë, me armën e shërbimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës. Zyra e oficerit është hapur me forcë.
Kush ishte Arben Pjeçi?
Arben Pjeçi, i cili i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij me armë e shërbimit ishte Specialisti i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Durrës, me gradë nënkomisar. Për një kohë të gjatë ai ka shërbyer si oficer kufiri por më pas ishte transferuar në sektorin e krimeve. Pas 35-vitesh në radhët e policisë së shtetit, efektivi i policisë duket se nuk e ka përballuar mirë vendimin që sillte ndërprerjen e marrëdhënies së punës, duke u vetëvrarë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Informacion paraprak
Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat. Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit. Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi. Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit. Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal. Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit. Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës. Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë. Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Në lidhje me rrethanat dhe për sqarimin përfundimtar të motivit, do të kemi njoftim shterrues në përfundim të veprimeve hetimore paraprake./ΖËRI